Ka ndodhur

Magazinë me kanabis në autostradën Lezhë-Laç, në pranga babë e bir dhe një punonjës i OSHEE

Gazeta Si – Në një operacion të policisë së Lezhës, mbrëmjen e të hënës, në fshatin Rrilë u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivimin e kanabisit, ku janë gjetur rreth 1 mijë rrënjë. Policia njofton se në pranga janë vënë babë e bir, si dhe një punonjës i OSHEE.

Magazina ndodhej pranë superstradës Lezhë-Laç, në afërsi të kryqëzimit të Spitenit. Veç armëve të zjarrit dhe municioneve, u sekuestruan bimë kanabis dhe sende të ndryshme për kultivimin, ndriçim artificial dhe sisteme ajrosjeje.

Sipas policisë, gjatë kontrollit në një objekt trekatësh, në katin e dytë u konstatua një dhomë e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, me llamba dhe pajisje që furnizoheshin me energji elektrike në mënyrë të paligjshme.

Nga hetimet dhe ndërhyrja u sekuestruan 8.8 kilogramë kanabis të tharë, 1.064 bimë dhe 960 fidanë kanabis, 850 fara kanabisi, 106 llamba për kultivim, 180 gramë kokainë, 3 armë zjarri, 2 armë sportive, 1 automjet dhe 4 celularë.

Në flagrancë u arrestuan babë e bir, A.Gj., 57 vjeç dhe A.Gj., 22 vjeç, të dyshuar si autorë të veprimtarisë kriminale.

Gjithashtu, u arrestua një punonjës i OSHEE-së, Gj.D., 59 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike dhe për shpërdorim detyre, ndërsa katër punonjës të tjerë të OSHEE-së po hetohen për shpërdorim detyre.

Në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi gjithashtu 180 gramë kokainë dhe disa armë, përfshirë armë zjarri dhe armë sportive.

Hetimet tregojnë se kjo veprimtari kriminale ishte zhvilluar për disa muaj, ndërsa policia vijon dokumentimin e plotë të saj dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë