Gazeta Si – Dy magazina janë zbuluar përgjatë Rrugës së Arbrit në fshatin Brrar të Tiranës, ku veshjeve të kontrabanduara u stampoheshin logo false për t’i bërë të duken si origjinale.
Policia thotë se në pranga kanë rënë 4 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Një nga të arrestuarit për shitjen e veshjeve me logo false, është ish-kandidati demokrat për deputet, Luan Haka.
Ky i fundit, ra në pranga bashkë me tre persona të tjerë, pasi mallra kontrabandë u sekuestruan në fshatin Brrar të Tiranës, te Rruga e Arbrit.

Konkretisht janë arrestuar:
Luan Haka, administrator i njërës prej magazinave dhe është shpallur në kërkim djali i tij Lidon Haka;
Ali Bushati dhe Xhuljo Lecaj, bashkë-administratorë të magazinës tjetër;
Arjan Hida, qiradhënësi për dy magazinat
Si dhe është shpallur në kërkim Ozkan Sulun i cili shërbente si koordinues i kësaj veprimtarie kriminale.
Luan Haka, i cili ka kandiduar për Partinë Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2021-it për qarkun Dibër, bashkëadministronte me të birin një nga magazinat ku stampoheshin veshjet.
Ai ka kandiduar në mbështetje të Lulzim Bashës, edhe në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Operacioni i koduar “Fake Star 5” u finalizua sot, 3 qershor, ku u kryen një sërë sekuestrimesh.
Mësohet se ai që drejtonte këtë veprimtari të jashtëligjshme ishte një turk, i shpallur në kërkim bashkë me një tjetër.
Janë sekuestruar një sasi e madhe veshjesh, dhjetëra makineri qepjeje, printimi ose stampimi, logo të markave të njohura ndërkombëtare, 6 dokumente të turkut, një shumë lekësh, njësi kompjuterike, 1 celular, si dhe sende/dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Në këto magazina, veshjeve të kontrabanduara u stampoheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare me qëllim për t’i shitur më pas si origjinale. Policia ka nisur hetimet edhe për 4 punonjës të këtyre 2 magazinave.
Një nga ambientet ku u gjetën makineri e logo të markave të njohura ndërkombëtare, si Hugo Boss, Tommy Hilfiger, Calvin Clain, Air Jordan, Balenciaga, Dolce Gabana, Valentino, Prada, Philip Plein, administrohej nga Luan Haka dhe i biri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.