Mafia ballkanase dhe ajo shqiptare duket të jetë kthyer në një ndër mafiet më të rrezikshme në botë, duke marrë kontrollin e trafikut të drogës në një pjesë të konsiderueshme të botës.
Një raport i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar i ka rënë sot këmbanave të alarmit se grupit e krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor janë bërë lojtarë kryesorë në trafikun e drogës në Europën Perëndimore, Amerikën Latine dhe Afrikën e Jugut.
Raporti, botuar të premten, me titull “Tentakulat Ndërkombëtaer” analizon lidhjet globale të krimit të organizuar në Ballkan, duke zbërthyer aktivitetet kriminale të grupeve të krimit të organizuar nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke u përqëndruar kryesisht në aktivitetet e tyre në Europën Perëndimore, Amerikën Latine dhe Turqi.
Ata zbuluan se si grupe të caktuara nga Ballkani Perëndimor janë ngritur gjithnjë e më lart në hierarkinë e trafikut të drogës në 20 vitet e fundit, duke u kthyer nga korrierë në shpërndarësit kryesorë të drogës në rrjete të mëdha kriminale.
“Tentakulat e këtij oktapodi janë shtrirë nëpër të gjithë botën: që nga furnizimi me kokainë në Amerikën Latine, deri në rrugët e Europës perëndimore; nga korridoret e trafikimit të heroinës në Turqi në Europë; nga fushat e kanabisit në Shqipëri drejt Turqise, dhe vendeve të Bashkimit Europian”, thuhet në raport.
Si u fuqizua mafia në Shqipëri?
Raporti thotë se mafia shqiptare përqendrohet kryesisht në Itali, Spanjë dhe Holandë. Një pikë e rëndësishme hyrëse për drogat është bregdeti lindor i Italisë, thotë raporti, duke përmendur "numrin relativisht të madh të konfiskimeve të drogës në Bari dhe Ancona, e cila niset nga tragetet që vijnë nga Durrësi.
"Shqiptarët në Itali që po importojnë drogë përgjatë bregdetit të Pulia kanë një avantazh të dyfishtë: ata kanë lidhje me bashkatdhetarët e tyre dhe me grupe në Shqipëri që mund të lehtësojnë shpërndarjen," vëren raporti. “Mafia shqiptare ndërkohë është aktive në Holandë, ku biznesi i tyre ka evoluar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda e emigrantëve në trafikun e drogës.”
Sipas raportit, zanafilla e aktivitetit kriminal në Shqipëri mund të gjurmohet, në vitet e komunizmit dhe pikërisht në vitin 1966, kur për të gjetur burime për thithjen e valutës së huaj, qeveria shqiptare pranoi një ofertë për t’u përfshirë në kontrabandën e cigareve, me një plan për të trafikuar në Itali cigare të markave amerikane, dhe që atje ato të shpërndaheshin në vende të tjera të Europës, dhe në Lindjen e Mesme.
Sipas raportit, ndërmjetësit zviceranë që bënë ofertën kishin lidhje me mafian italiane, që po kërkonte korridore të reja trafikimi pasi operacionet policore në detin Tirren ishin bërë më të efektshme. Sipas një ish-prokurori italian të antimafias, bosë mafiozë arritën të kuptonin se kontrolli i shtetit pas Perdes së Hekurt ishte strikt vetën për çështje politike, por nuk përbënte ndonjë pengesë serioze për trafiqe të paligjshme.
Qeveria shqiptare krijoi një zonë të lirë ekonomike që shërbente si pikë tranziti për kontrabandën e cigareve që vinin nga Shtetet e Bashkuara, dhe krijoi kompaninë Albtrans, që mendohet se administrohej nga Sigurimi i Shtetit, që siguronte mbarëvajtjen e punës në Shqipëri në shkëmbim të një tarife prej nëntë dollarësh amerikanë për koli. Llogaritet se qeveria shqiptare ka grumbulluar rreth 35 milionë dollarë nëpërmjet kësaj veprimtarie gjatë periudhës 1968–1991.
Si pasojë e kësaj veprimtarie Deti Adriatik, që deri në atë kohë konsiderohej thjesht si ‘kufi blu’, u transformua në një korridor shumë fitimprurës për në lindje për grupet kriminale italiane.
Trazirat dhe përmbysjet e viteve 1990, sollën vështirësi por edhe shanse për grupet kriminale. Një ndërthurje e depërtimit të grupeve kriminale në strukturat e forcave serbe dhe vendosja e sanksioneve kriminale, krijuan kushtet për lulëzimin e aktivitetit kriminal, ku u përfshinë Beogradi dhe Podgorica, por ku më pas u përfshinë vendet fqinjë.
“Sasi të mëdha nafte kalonin kontrabandë nëpër Liqenin e Shkodrës, nga Shqipëria në Malin e Zi, si dhe nëpërmjet kufirit tokësor të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në fakt, shkelja e sanksioneve, kufijtë e rinj të krijuar nga prishja e ish- Jugosllavisë, hapësirat dhe mundësitë e reja për të zhvilluar kontrabandë, sollën pasoja të papritura në zhvillimin e grupeve kriminale, dhe rritjen e ndikimin të tyre në ekonomitë e disa vendeve fqinje”, thuhet në raportin i cili fajëson si një nga faktorët komunitetin ndërkombëtar që vendosi sanksione, duke krijuar mundësinë e një rrjeti gjigand kriminaliteti.
Rënia e skemave piramidale në vitet 1996 dhe shpërbërja që pasoi në Shqipëri, në vitin 1997 krijoi edhe më tej terren për kriminalitet si edhe për kontrabandë përfshirë atë të armëve në Kosovë. Lufta e Kosovës bëri gjithashtu të mundur krijimin e një terreni pjellor për aktivitete kriminale, që vazhdoi edhe pas saj, gjatë kohës së administrimit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të konsoldimit të qeverisjes së vendit.
“Në këtë periudhë paslufte të ngritjes së shtetit, ku institucionet dhe infrastruktura ishin të dobëta, disa individë në pozita të forta, që kishin marrë pjesë në luftë dhe kishin lidhje të forta me diasporën, e shtuan ndjeshëm pasurinë dhe influencën e tyre, duke u marrë njëkohëshisht si me aktivitete të ligjshme, ashtu edhe me veprimtari kriminale”, thuhet në raport, ku shtohet se “për disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u fol se ishin të përfshirë në aktivitete kriminale”.
Raporti vë në dukje se falë disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që nga viti 2000 grupet kriminele të Shqipërisë filluan ta zhvendosin veprimtarinë e tyre jashtë vendit, veçanërisht në Greqi, Itali, Zvicër dhe Gjermani. Vetëm gjatë muajve të pranverës të vitit 1997, rreth 10,600 shqiptarë, duke përfshirë edhe shumë kriminelë, emigruan ilegalisht në Pulia, Itali.
Që nga viti 2001, grupe kriminale shqipfolëse (përfshirë edhe grupe nga Kosova, dhe Maqedonia e Veriut) ishin përfshirë në trafikimin e heroinës në disa shtete, evropiane, si në Republikën Çeke, Belgjikë, Greqi, Austri, dhe Zvicër. Itinerari i zakonshëm ishte blerja e heroinës nga organizata kriminale turke dhe transportimi i drogës drejt Europës perëndimore, veçanërisht nëpërmjet Hungarisë. Nga viti 2001, Shqipëria u bë edhe vend origjine për kanabisin e shitur në Europë pas mbjelljeve masive të kanabisit në vend gjatë viteve 90.
Shqipëria u bë gjithashtu një nga burimet kryesore për barishte kanabisi për tregjet italiane dhe greke, dhe gradualisht u kthye në një nga burimet kryesore edhe për rezinën e kanabisit. Grupet kriminale shqiptare u përfshinë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore në Belgjikë, Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por ata ishin veçanërisht aktivë në Itali, ku punonin krah për krah me mafian italiane. Disa nga këto bashkëpunime do të krijonin themelet për krijimin e rrjeteve të mëvonshme të trafikimit të drogës.
Raporti thotë se brenda një kohe të shkurtër shqiptarët, u transformuan në faktorë të rëndësishëm në fushën e trafikut të drogës, emigracionit të paligjshëm, dhe trafikimit të qenieve njerëzore në disa vende të Europës.
Mafia ballkanike në krye të trafikut të drogës
“Burra nga qytete të vogla të Ballkanit Perëndimor, po organizojnë tani transportimin e ngarkesave shumëtonëshe kokaine nga xhunglat e Amerikës Latine përmes disa prej porteve më të ngarkuara të Europës, në rrugët e kryeqyteteve të saj. Marinarë nga porte të vogla të Ballkanit po përdorin jahtet për të dërguar drogë në Afrikën e Jugut dhe Australi, apo imigrantë nga Turqia në Europën Perëndimore”, thuhet në raport.
Brigjet e Spanjës janë arena të rëndësishme për grupet e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, sipas raportit, i cili thotë se porti i Valencias është një pikë kryesore për grupet nga Serbia dhe Mali i Zi. "Valencia gjithashtu luan një rol kryesor në evolucionin e kartelit të Kotorrit, ”thotë raporti.
Republika Ceke gjithashtu është një bazë e dukshme për biznesin e krimit të organizuar nga Ballkani, thekson raporti , duke ciilësuar Darko Saric, Andrija Draskovic, Milan Narancic, Ismet Osmani dhe Qazim Osmani, dhe Borislav Plavsic, si kokat kryesore të mafies së Ballkanit.
Lidhjet e ngushta me grupe lokale kriminale dhe qasja me kokaine që nga burimi, i kombinuar me praninë e tyre në qytete të mëdha porte të Europës, do të thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor janë në gjendje të kontrollojnë gjithë ciklin e furnizmit të kokainës nga burimi në destinacion.
“Kjo u jep atyre mundësinë që të ulin çmimet, duke bërë të mundur që konsumatorët të kursejnë, të ofrojnë një cilësi të mire me çmim të arsyeshëm, duke eliminuar kështu konkurrencën. Falë këtij modeli biznesi, disa grupe kriminale nga Ballkani Perëndimor, janë bërë elita e krimit”, thuhet në raport.
Po ashtu raporti thotë se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor që fuksionojnë në vende të tjera janë moderne, dinamike, me aftësi për sipërmarrje dhe për t’u përshtatur dhe përdorur teknologjin në avantazhin e tyre.
Ata “për shembull përdorin forma të koduara komunikimi; eksplorojnë rrugë dhe mjete të reja trafikimi, si edhe pastrojnë para përmes kripto-monedhave, parajsave financiare para se t’i fusin në vendet e tyre”.
Pjesa më e madhe e dhunës nga këto grupe, duket se është e lidhur me larjen e llogarive brenda rrangjeve të tyre ose ndaj rivalëve.
Sipas raportit, nuk ekziston në vetvete një Kartel i Ballkanit, megjithëse “grupe nga rajoni herë pas here punojnë me njëri tjetrin dhe ka edhe raste grupesh shumëetnike”.
“Megjithëse problemi i krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor është zhvendosur kryesisht në vende të tjera, aktivitetet e këtyre grupeve kriminale po dëmtojnë reputacionin e vendeve të tyre, sidomos në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se disa nga problemet dhe vështirësitë që shkaktuan largimin e njerëzve nga vendet e Ballkanit perëndimor në të kaluarën, vazhdojnë të ekzistojnë si papunësia, korrupsioni, mungesa e mundësive, pakënaqësia me qeveritë e tyre dhe vonesat në procesine integrimit evropian.
“Nëse nuk zgjidhen këto probleme, do të vazhdojë të ketë grupe të rinjsh në Ballkanin Perëndimorë ose diasporë me vullnetin të rrezikojnë duke ndjekur një jetë krimi”.
Raporti bën thirrje për një bashkëpunim të strukurave të ligjit dhe të rendit, gjurmin dhe konfiskim pronash dhe këmbim informacioni, sidomos duke pasur parasysh që anëtarët e këtyre grupeve përdorin identitete të rreme. Po ashtu thekson nevojën për reduktuar kërkesën për mallra dhe shërbime nga grupet kriminale në Ballkan.
Raporti arrin në përfundimin se pozita gjeografike, rrethanat me konflikte dhe trazira nga dolën këto vende, marrja në sy e rrezikut dhe pritja për inovacion dhe përshtatje, i kanë fuqizuar këto grupe.
Raporti thotë se është e qartë se ekosistemi i korrupsionit, pandëshkueshmëria politike, dhe sistemi i dobët i drejtësisë penale në vendet e Ballkanit perëndimor krijon një strehë që mbron disa nga figurat kryesore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.