Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, u paraqit për herë të parë para Gjykatës Federale të Manhattanit, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat penale që rëndojnë ndaj tij.
“Jam i pafajshëm, nuk deklarohem fajtor”, i tha Maduro gjyqtarit federal Alvin K. Hellerstein.
“Unë jam një njeri i ndershëm, presidenti i vendit tim”, shtoi ai i cili po ashtu i tha gjyqtarit amerikan se ishte “marrë peng”.
Cilia Flores, bashkëshortja e Maduros, gjithashtu është deklaruar e pafajshme për akuzat e drogës gjatë seancës gjyqësore.
Seanca shënoi nisjen formale të procesit penal ndaj ish-udhëheqësit venezuelian, i cili u soll në Shtetet e Bashkuara pas një operacioni amerikan dhe tani ndodhet nën juridiksionin e drejtësisë federale.
Seanca e ardhshme në gjyqin ndaj Nicolás Maduro është caktuar për 17 mars. Gjykatësi ka urdhëruar që Maduro të paraqitet përsëri në gjykatë.
Avokati i Maduros tha se klienti i tij nuk po kërkon lirim me kusht në këtë moment. Megjithatë, ai mund ta bëjë këtë kërkesë më vonë, sipas raportimeve nga disa media amerikane.
Ndërkohë, jashtë gjykatës në Nju Jork u mblodhën turma të mëdha njerëzish. Dy grupe me qëndrime të kundërta protestuan paralelisht: njëra palë brohoriti kapjen e Maduro-s, ndërsa pala tjetër protestoi kundër ndalimit të tij dhe kërkoi lirimin.


Protestuesit u panë duke valëvitur flamuj venezuelianë dhe duke brohoritur slogane si: “Kush jemi ne? Venezuela! Çfarë duam? Liri!”. Disa mbanin pankarta me mbishkrimin “Liri për të burgosurit tanë politikë në Venezuelë”, ndërsa të tjerë shfaqnin banderola ku shkruhej “Liri për Presidentin Maduro”.
Në protestë u vu re edhe një pankartë me mbishkrimin “Trump për Mbret”.
Sipas prokurorisë amerikane, Maduro akuzohet se ka udhëhequr “banda të sponsorizuara nga shteti” dhe ka korruptuar institucione shtetërore për të lehtësuar importimin e sasive të mëdha të kokainës në Shtetet e Bashkuara. Akuzat përfshijnë gjithashtu çështje që lidhen me armë dhe bashkëpunim kriminal ndërkombëtar.
Paraqitja e sotme në gjykatë konsiderohet një moment kyç në një proces që pritet të jetë i gjatë dhe me ndikim të madh politik e diplomatik, ndërsa zhvillimet në Nju Jork po ndiqen me vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




