Nga Gazeta ‘SI’- Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje nga Forumi ndërkombëtar Future Investment Initiative për të bërë investime në Shqipëri, duke u shprehur se vendi ynë ka një udhëheqje të fortë.
Kreu i Shtetit të Francës deklaroi gjatë fjalës së tij se Shqipëria është një vend stabël dhe i besueshëm, duke theksuar se gjithashtu është pikë hyrëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, si edhe një pikë kyçe në Mesdhe.
“Jam shumë i lumtur që jeni këtu, përtej shakave që bëj me kryeministrin Edi Rama, sepse këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë, është një pikë kyçe në Mesdhe ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni një udhëheqje të fortë”, u shpreh Macron.
Emmanuel Macron deklaroi se Rama ka sjellë rezultate, si edhe ka një mandat të qartë, ndërsa shtoi “në dy vitet që vijnë do jenë pjesë e BE”.
“Nuk flas vetëm sepse është miku im, por ka sjellë rezultate, dhe në dy vitet që vijnë duke qenë se ka një mandate të qartë, do të jenë pjesë e BE-së”, theksoi presidenti francez.
Macron u shpreh se përtej Bashkimit Europian është një Europë më e madhe, që janë Ballkani Perëndimor, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina.
“Kjo Evropë më e madhe është vend me mbi 650 milion banorë që nuk merren në konsideratë as nga pikëpamja gjeopolitike, as nga ajo financiare. Nëse integrojmë vende shumë të qëndrueshme, pa luftë, pa destabilizim, nëse arrijmë një hapësirë më të mirëintegruar, përtej BE, natyrisht që jam një avokat i anëtarësimi dhe i mbylljes në 2027”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




