Politike

Macron s’flet për negociatat, por i kujton Shqipërisë azilkërkuesit

Pas lajmit nga Gjermania për hapjen me kushte të negociatave të anëtarësimit me BE, presidenti francez i ka kujtuar Shqipërisë mëngjesin e sotëm radhët e gjata të emigrantëve që vijnë nga vendi ynë.

Duke folur në një intervistë radifonike për “Europe 1”, Macron u ndal disa minuta tek Shqipëria, por jo për të folur për negociatat, por për emigracionin, i cili ishte në fakt edhe kryefjala e kësaj interviste.

Macron, lideri më skeptik ndaj zgjerimit të unionit, është shprehur se Shqipëria ka një numër të madh azilantësh për të cilët duhet të reflektojë.

“Shqipëria duhet të reflektojë për numrin e madh të azilkërkuesve, të cilët vijnë në Francë për të përfituar shërbimin shëndetësor,”, është shprehur Macron.

Deutsche Welle thotë duke cituar burime nga korridoret e Brukselit se Parisi duket se ka pranuar me dhimbje hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut, por jo për Shqipërinë.

Për Shqipërinë, Franca vëren hapa pas për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, që sipas shifrave janë të dytët pas shtetasve afganë dhe shqetësimi i dytë që lidhet me krimin e organizuar.

Megjithatë, heshtja e Macron në lidhje me negociatat me vendin tonë mund të shprehe ndoshta edhe një pakt të heshtur mes Gjermanisë dhe Francës. Edhe pse jemi vetëm tre javë përpara mbledhjes së Këshillit të BE-së, ku pritet të merret vendimi për një datë për negociatat, ndryshe nga qershori, Macron nuk ka folur kundër zgjerimit dhe kundër hapjes se negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në fillim të kësaj vere, Franca duket se ishte në një vijë me Holandën, e cila ishte jo vetëm kundër hapjes së negociatave me vendin tonë, por kërkonte edhe pezullimin e përkohshëm të liberalizimit të vizave.

Macron ka deklaruar vazhdimisht se zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është aspak një ide e pranueshme midis qytetarëve të unionit dhe asnjë nga politikanët europianë nuk është gati të bëhet viktimë e këtij rreziku politik. Parisit e bëri të qartë se për Francën Ballkani nuk është prioritet në kontekstin gjeopolitik.

Macron kishte frikë se hapja e negociatave në qershor do të fuqizonte skeptikët e BE-së dhe i bëri rezistencë negociatave me Shqipërinë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Ndryshe nga qershori, Gjermania dhe Franca kanë arritur tanimë një marrëveshje kur bie fjala për Shqipërinë. Bashkëpunëtori i Lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber thotë se Gjermania dhe Franca kanë gjetur tanimë një zgjidhje të mesme kur bie fjala për Shqipërinë. Analisti bën të ditur se Merkel dhe Macron kanë arritur një pakt për një shkëputje të pjesshme, sipas të cilës Shqipërisë iu vendosen disa kushte.

Megjithatë, ndryshe nga Gjermania, Franca ka të ngjarë ti kërkojë Shqipërisë të bëjë më shumë për të frenuar radhët e gjata të emigrantëve.  Macron nuk i ka kursyer ankesat për numrin e lartë të azilëkërkueseve përgjatë muajve të kaluar. Madje në një samitit të mbajtur në Berlin për vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenti francez deklaroi se ishte skeptik për liberalizimin e regjimin e vizave ndaj Kosovës, duke kujtuar përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë.

Macron kujtoi se pas heqjes së vizave me Shqipërinë u shtua si numri i emigrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga vendi ynë.

Vende si Holanda, Danimarka dhe Franca kanë qenë të rezervuara në qëndrime pro çeljes së negociatave për shkak të emigracionit të paligjshëm, azilkërkuesve dhe krimit të organizuar me origjinë për të dalë nga Shqipëria.

 Në 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen.

Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.

Holanda ishte në qershor vendi më skeptik kundër perspektivës europiane të Shqipërisë, duke votuar kundër hapjes së negociatave.

Si shkak kryesor për refuzimin, ishte mosarritja e rezultateve në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, arsye që u bënë shkak edhe që Holanda t’i dërgoi zyrtarisht Komisionit Europian, kërkesën e saj për shqyrtimin e rikthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë. Sipas qeverisë holandeze, Shqipëria nuk po arrin rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar. Edhe pse raporti i Komisionit Europian ishte tejet pozitiv, Holanda thotë se ky dokument nuk mund të vërtetojë nëse Shqipëria i plotëson kushtet e vendosura.

Por tanimë duket se Gjermania do të marrë rolin e lidershipit përballë integrimit të Shqipërisë në BE. Ajo ka marrë tanimë një qendrim të qartë “pro” hapjes së negociatave, duke ushtruar presion jo vetëm ndaj Francës, por edhe Holandës. Nëse Macron mund të bindet nga kancelarja Merkel, edhe me 9 kushtet e Berlinit, duket se brenda tyre mund të përfshihen edhe kritikat e Amsterdamit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë