Analize

Macron një ‘Kasandër’ moderne, na mban vigjilent ndaj hapit të radhës së Rusisë    

Nga Richard Dannatt-Nëse është apo jo e drejtë ta quajmë Emmanuel Macron një “Kasandër” të kohëve moderne, këtë do të tregojë vetëm koha. Priftëresha e dikurshme trojane që mbante këtë emër, ishte e dënuar të parashikonte fatkeqësinë që do të ndodhte, por që nuk do të besohej asnjëherë nga bashkëqytetarët e saj.

A do të jetë ky fati i presidentit francez, pas paralajmërimit të tij të bujshëm se Perëndimi mund të detyrohet të ndërhyjë edhe ushtarakisht për të shpëtuar Ukrainën, nëse Rusia arrin javët dhe muajt në vijim një përparim ushtarak të madh në fushën e betejës?

Mediat raportojnë se Macron u ka treguar edhe udhëheqësve të partive opozitare franceze disa harta të fushëbetejës aktuale në Ukrainë, dhe ka shënuar në to pikat e përparimit të mundshëm të ushtrisë ruse. Në atë takim, ai është shprehur ndër të tjera se nuk duhet të ketë më “vija të kuqe” në përfshirjen e Francës në këtë konflikt.

Madje ka lënë kuptohet, se mund të duhet që në front të dërgohen edhe trupat ushtarake perëndimore. A mos po e zmadhon enkas këtë skenar për arsye politike të brendshme? E sigurt është se po shohim një kthesë të jashtëzakonshme në raport me pozicionin fillestar të Emmanuel Macron mbi luftën.

Tani ai duket sikur po thotë atë që dikur konsiderohej e paimagjinueshme. Sot, edhe Britania që ka qenë aleatja më entuziaste e Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022, po kundërshton çdo gjë që i ngjan një ndërhyrjeje më të drejtpërdrejtë.

Shefi i diplomacisë Devid Cameron, i kërkoi Evropës në fillim të javës së kaluar të frenojë përfshirjen në luftërat në Ukrainë dhe Gaza, për t’i mbajtur këto kriza “nën kontroll” deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Nuk mund të ketë asnjë dyshim se mbështetja e Ukrainës, duhet të mbetet prioriteti kryesor për vendet evropiane për të frenuar agresionin e mëtejshëm të Rusisë. Përndryshe, pse Finlanda dhe Suedia zgjodhën pikërisht këtë moment për t’iu bashkuar NATO-s?

Në situatën aktuale, nuk ka ndonjë hapësirë ​​të dukshme për një fund të negociuar të luftës në Ukrainë. Objektivat e deklaruara publikisht nga presidentët Putin dhe Zelensky mbeten reciprokisht të papajtueshme. Një vit më parë, vendet perëndimore nguruan për një kohë të gjatë nëse do t’i dërgonin apo jo Ukrainës avionët F-16, tanket, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe një sasi të bollshme municionesh.

Ndërkohë, rusët nuk qëndruan duarkryq, duke krijuar linja mbrojtëse të gjata dhe shumë të gjera. Prandaj, nuk ishte befasuese që kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës, u shndërrua në ngërçin që u pa gjatë dimrit që shkoi. Tani me ngrohjen e motit, mungesa e municioneve nga pala ukrainase i kanë dhënë Rusisë mundësinë për të përparuar ndjeshëm.

Nën këtë sfond, pozicioni i Macron është më se i kuptueshëm. Një nga problemet gjatë këtij konflikti, ka qenë më shumë paqartësia e NATOs mbi atë që nuk do të bëjë, sesa ajo se çfarë do të bëjë. Dhe kjo kryesisht për shkak të frikës së shprehur hapur, se cila do të ishte përgjigja e Moskës nëse Perëndimi do të përshkallëzonte shumë ndihmën ndaj Ukrainës.

Macron ka të drejtë që përpiqet të rrëmbejë nga rusët iniciativën strategjike, si pjesë e teorisë së tij të “paqartësisë strategjike”, edhe nëse disa do ta kundërshtojnë drejtimin e kursit që ka nisur të ndjekë kohët e fundit. Gjithsesi, sado tërheqëse që mund të jetë retorika e tij, ekziston gjithmonë rreziku që gjërat mund të ecin në drejtimin e kundërt.

Ashtu si gafa e rëndë e rrjedhjes dhe publikimit të diskutimeve konfidenciale të forcave ajrore gjermane. Edhe vetëm pranimi se disa njësi të ushtrive perëndimore gjenden tashmë në Ukrainë, apo mundësia që ato mund të vendosen atje qoftë për qëllime stërvitore apo luftarake, rrezikon të përfshihet në axhendën e Vladimir Putinit në javët dhe muajt e ardhshëm.

Propaganda e brendshme e sundimtarit rus, pohon se kjo luftë është shpallur fillimisht nga NATO, akt që ka imponuar mbrojtjen e “Nënës Rusi” nga agresioni perëndimor. Nga ana tjetër, ajo i jep mundësi Putinit të bëjë kërcënime me armët e tij bërthamore, të cilat i frikësojnë shumë evropianët që janë kundër ndërhyrjes së mëtejshme në konfliktin Ukrainë-Rusi.

Sidoqoftë, ne duhet të rrisim urgjentisht mbështetjen ushtarake për Ukrainën, në aspektin e rritjes së ndjeshme të furnizimeve me të dhëna të klasifikuara, armë, municione dhe trajnim ushtarak të rekrutëve të rinj. Nuk ka më kohë për të humbur. Në rrezik është siguria e Evropës, jo vetëm e Ukrainës, por madje edhe e vetë NATO-s.

Burimi: The Telegraph/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Lordi Richard Dannatt, është ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Britanisë së Madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë