Nga Gazeta ‘Si’- Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka hedhur kritika ndaj partive që votuan kundër miratimit të raportit të komisionit të përkohshëm të deputetëve.
Haxhiu tha se kabineti qeveritar i ka kryer sipas saj obligimet në lidhje me dorëheqjen dhe se është opozita ajo që sipas saj do të zvarrisë procesin e krijimit të qeverisë së Kosovës.
Ajo tha se deputetët e VetëVendosjes e dhanë dorëheqjen në kohë, para se të niste seanca.
‘‘Së pari nuk do të certifikohej asnjërin nga ne nga KQZ nëse do të kishim probleme me Ligjin. Certifikimi ka ndodhur sepse para certifikimit ne e kemi njoftuar KQZ se ne e pranojmë mandatin e deputetit. Duke qenë se sot ka qenë seanca konstituive, para se kjo seanca të ndodhë, ne i kemi kryer obligimet që kemi pasur .pra me dorëheqje, secili nga ne. Duke qartë se nuk kanë pasur interes të konstituohet kuvendi i Kosovës dhe për këtë do të mbahet përgjegjëse opozita”, tha ajo.
Edhe deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe me mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve kanë votuar edhe kundër mandateve të tyre.
“Për herë të parë në Kosovë, opozita aktuale dhe ajo e ardhshme nuk e voton raportin për certifikimin e rezultateve dhe konfirmimin e mandateve. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit – pra edhe kundër mandateve të tyre”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Sipas saj këto parti kanë treguar se nuk e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Me këtë veprim, sot, përmes një tjetër shfaqjeje të paaftësisë së tyre të vazhdueshme, treguan se nuk e pranojnë më rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ”, ka shkruar Kusari-Lila
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.