Trashëgimi

Lutje për pushkë…

Nga Sokol Çunga– “Kjo tyta e pushkës

Mbi shpinë të shqiptarit

Si një eshtër e gjatë, e mprehtë ka mbirë,

Mbi kurriz e ngulur nga fati i vështirë…”

Këto shkruan i mirënjohuri Ismail Kadare në poemën “Përse mendohen këto male”. Poema, në tërësi, përçon idenë se, prej datës kur u shpik pushka me barut, e deri në kohën e shkrimit të këtyre vargjeve, realiteti ka qenë gjithmonë i tillë: shqiptari dhe pushka, pushka dhe shqiptari, të pandarë.

Poema nuk del nga hiçi, pasi e njëjta ide përshkon horizontalisht folklorin dhe një pjesë të mirë të historiografisë shkruar shqip. Mirëpo, a është vërtet kështu?

Më 11 nëntor 1911 nëntëmbëdhjetë katunde të krishtera i dërgojnë lutje valiut të Shkodrës dhe i kërkojnë pushkë.

Arsyeja është krejt praktike: hajnat po u grabisin mall e gjë. Kërkesa është shkruar me dorë në një fletë letre dhe vulosur nga prijësit vendës të çdo fshati.

Përse kërkojnë pushkë këta shqiptarë? Vallë, a nuk kishte pushkë shqiptari? Varet, edhe po, edhe jo. Dokumenti daton në muajt e fundit të sundimit de facto të Perandorisë Osmane në Shqipërinë e sotshme.

Nëse shqyrtojmë shekujt paraardhës, shohim se në viset e arbërve dhe të shqiptarëve, sikundër dhe në gjithë Perandorinë, mbajtja e armës lejohej nën disa rregulla të qarta: armën mund ta mbajnë ata që janë në shërbim ushtarak, qofshin këta myslimanë ose jo, si dhe çdo person tjetër i autorizuar, të cilit arma i nevojitet për zbatimin e ligjit.

Edhe në shek. XIX e fillim të shek. XX rajatë e krishterë nuk kishin të drejtë të mbanin armë. Vetëm administratorët vendës dhe bejlerët, kishin të drejtën e armëmbajtjes.

Sigurisht, duke qenë nën mbrojtjen e Sulltanit, mbrojtjen e të krishterëve e kryenin myslimanët. Mirëpo, siç duket, ndryshe rregullat, ndryshe realiteti. Prandaj dhe rrethanat kanë prodhuar dokumentin që përmendim.

Nga ana tjetër, të mos harrojmë: historia nuk është bardhezi. Në pranverën e po atij viti, në mars 1911 ka filluar ajo që njihet në histori si Kryengritja e Malësisë.

Popullata të gjera u ngritën në kundërshtim të Perandorisë Osmane. A kanë lidhje kjo kërkesë për armë me kryengritjen? Kjo duhet shqyrtuar në plan më të gjerë.

Ndërkaq, ideja se shqiptari e ka çarë rrugën e historisë me armë në dorë, nuk vlen për çdo shqiptar. Të paktën jo për shqiptarët e krishterë gjatë periudhës osmane. Le ta shtrojmë përsiatjen edhe në një tjetër drejtim: veç këngëve kushtuar luftëtarëve arvanitë, sa luftëtarëve të krishterë u këndohet këngë në folklorin që ka mbërritur deri në ditët e sotme?

Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë