Gazeta Si – Reshjet intensive të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve në vend, ndërsa në zonat mbi 300 metra mbi nivelin e detit janë rikthyer edhe reshjet e dëborës.
Situata më problematike paraqitet në jug të vendit, ku lumi Vjosa ka arritur sërish kuotën maksimale prej 7.45 metrash pranë Urës së Mifolit, duke përmbytur zonën e tregut.
Prurjet vijojnë me intensitet të lartë edhe në Memaliaj, ku niveli ka shkuar në 7 metra, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se në orët në vijim Vjosa mund të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra.
Në qarkun e Fierit, prurjet e lumit Seman mbeten të larta. Lumi ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, duke përmbytur oborre banesash dhe me qindra hektarë tokë bujqësore në zonat Roskovec–Patos dhe Fier.
Ndërkohë edhe lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, ku uji ka prekur rreth 20 banesa.
Strukturat e Bashkisë Lushnjë ndodhen në terren dhe po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të banorëve.
Nga ana tjetër, reshjet e dëborës janë rikthyer në Rrugën e Kombit, por situata paraqitet nën kontroll.
Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë me hedhje kripe në të gjithë aksin dhe u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



