Politike

Lulzim Bashën e lënë vetëm… (edhe besnikët e fundit)

Nga Gazeta Si - Kur mediat publikuan jo zyrtarisht një lëvizje brenda grupit të tij që do të përfundonte me krijimin e një partie të re me akronimin iDE, Lulzim Basha përmes faqes zyrtare të grupimit ‘demokratët euroatlantikë’ tha se asgjë nuk ishte e vërtetë, se raportimet ishin thashetheme dhe dëshira të ndonjë individi, se nuk kishte ndërmend të dorëhiqej nga rekursi në Gjykatën e Lartë për logon e PD dhe se çdo vendim zyrtar merrej në kryesi dhe Këshilli Kombëtar,

Por bashkëpunëtori i tij më i ngushtë qysh prej shkëputjes nga Sali Berisha, i cili i dha sinjalet e para se duhet një force e re politike qyshkur u shkëput zyrtarisht nga grupi i PD-së, Enkelejd Alibeaj, tha se nuk ka më kohë për të qëndruar në vendnumëro.

“Nuk heq dorë nga politika. Përpjekje ime është që gjithë ata njerëz 3 vite bëjnë betejë. Ka pasur dhe njerëz që nuk bënë betejë por nuk janë me politikën e vjetër. Është detyrim i imi që të bëjmë ç’është e mundur për të mos i lënë në mëshirë të fatit. Bëj rrugëtimin tim. Rrugëtimi im është i imi dhe do vijoj pa u tërhequr. Njerëzit të cilët nuk e ndjejnë ngelen prapa.

Kanë ngelur prapa grupi i madh që ikën viti i kaluar që kaluan tek Berisha. Sigurisht nuk kam koment, nuk është rruga morale që lanë betejën. Këtu ishim kur u anatemuan. Ca të tjerë u larguan më vonë tek Berisha. Mesa kuptoj edhe Lulzim Basha do të rrijë aty ku është. Duhet të japim një formacion politik që të jetë adresa e gjithë atyre demokratëve që të mos jenë në mëshirën e fatit as të Berishës dhe Ramës”, tha Alibeaj

Ai komentoi edhe rekursin e kërkuar nga Basha.

“Mesa duket zgjidhja është rekurs por vetëm kaq, se nuk të çon asgjë. Nëse ato gjykata janë të kapura nga Rama dhe Berisha do vijojnë të jenë të kapura. Do të vazhdojmë para apo do rrimë në vend  numëro. Jam për përpara. Nuk jam për tu zvarritur në politikë. Jo për pasivitet dhe letargji. Si unë janë shumë. Nëse Basha zgjedh që të mos e çojë përtej udhë e mbarë unë do vazhdoj përtej. Ishte i paaftë të bënte betejë me Berishën. Unë do vazhdoj përpara. Respektoj qëndrimin e gjithkujt. Por kjo nuk më bën të qëndroj në letargji. Nuk i lë betejat në mes.

Kjo zgjedhja ime mund të jap fund karrierës sime. Por jo për këtë arsye do duhet të zvarritem. Në politikë njeriu do duhet të vdes në këmbë jo të lëpihet për një karrige poshtë ballkonit. Shumica e dërrmuese këtyre kolegëve që betoheshin se nuk do jenë me non-grata, ku janë sot. Ku është morali në politikë. Më vjen keq për ata që shkojnë poshtë ballkonit, presin se ku do ti vendos lideri në listë. Shembulli më i keq i shoqërisë civile”, tha ai.

Ideja për të konkretizuar një lëvizje të re ku mblidhen të gjithë te pakënaqurit e Berishës dhe Bashës po mbështetet publikisht nga Fatbardh Kadilli i cili me kohe ka shpallur nje levizje brenda PD, por qe nuk e çoi deri ne fund. Sa duket tani është koha.

Dhe Kadilli është kthyer në Tiranë nga Afrika ku jetonte prej kohësh.

“Për avancimin e lëvizjes iDE unë kam qenë në komunikim të përhershëm me çdo politikan që ka treguar independencë dhe i ka rezistuar Kryetarokracisë. Ka deputetë nga grupi i Berishës dhe ish grupi i Bashës. Shumica shprehen se iDE është rruga e vetme për të rindërtuar një opozitë tërësisht ndryshe, një opozitë që të jetë alternativa fituese. Thënë kjo, nuk dua të spekulohet se kush do bëhet pjesë, sa kohë konsultimet nuk janë kthyer në vendime. Vendimet janë personale”, është shprehur Kadilli.

Dhe kur vjen puna tek vendimet personale edhe Roland Bejko që deri dje trumbetonte dhe përbetohej për Lulzim Bashën ka kthyer pllakë.

“Mbështetjen për zotin Basha e kam pasur me kushte. Kam dashur që të bënte betejë kundër berishizmit dhe kundër korrupsionit dhe kjo ka munguar. Tashmë ka mbaruar kjo mbështetje sepse nuk bëj dot betejë për dikë që nuk dëshiron që të fitojë luftën.

Unë kam kërkuar gjithmonë që PD-ja të ishte parti e djathtë dhe nuk kam qenë shumë miqësor me kryetarët e partisë. Basha mezi dilte të bënte konferenca shtypi, kur i thamë që t’i zinte të premten Berishës, nuk doli më. Ne kishim mbështetjen amerikane, kishim siglën dhe vulën e partisë, si dhe kishim hyrë në betejë në zgjedhjet lokale. Të tria këto ne i humbëm dhe kur pashë këtë gjë, vendosa të largohem”, është shprehur Bejklo duke nënvizuar se Basha nuk e bën dot liderin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë