Nga Gazeta Si- Tre ngarkesa me luleshtrydhe me pesticide, të importuara nga Greqia kanë vënë në alarm gjithë vendin. Edhe pse të kontaminuara me pesticide të rrezikshme, luleshtrydhet janë shitur të gjitha, çka dhe ka sjellë probleme për fermerët vendas, përpos rrezikut që kanë.
Fermerët në Frakull të Fierit kanë protestuar sot duke hedhur në rrugë arkat me luleshtrydhe, pasi sipas tyre, tashmë po penalizohen edhe ato.
Disa prej tyre thanë pas lajmit për luleshtrydhet greke, luleshtrydhet vendase nuk kanë asnjë vlerë në treg.
“Ka qenë 2 mijë lekë kilogrami dhe sot nuk shitet fare. Qeveria të bëjë analizat dhe luleshtrydhet dalin pa pesticide. Nuk po shiten luleshtrydhet vendase pa pesticide sepse janë shitur luleshtrydhet greke me pesticide”, tha një nga fermerët.
“Ka sjellë Greqia luleshtrydhe me pesticide dhe po e vuajmë ne. Ka qenë një vit i vështirë prodhimi dhe tani ndodh kjo. Ne jetojmë me prodhimin dhe shitjen e luleshtrydheve dhe kështu si po vjen puna, do detyrohemi të shpallim falimentimin”, thonë fermerët.

Fermerët thanë për mediat se një pjesë e madhe e prodhimit ka përfunduar në lumin Vjosa.
“Është e padrejtë të penalizohemi për diçka që nuk ka lidhje me ne. Prodhimi ynë është bio dhe i sigurt. Shteti duhet të na ndihmojë për të mbijetuar”, thanë fermerët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.