Disa orë përpara nisjes së protestës së bashkuar, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka postuar videon për thirrje e qytetarëve për t’u mbledhur në ora 20:00 përpara Kryeministrisë.
“Si njerëz të lirë, si qytetarë me dinjitet, si shqiptarë kurajozë, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh, të gjithë bashkë sonte në orën 20:00 në manifestimin kombëtar të vullnetit tonë të pakthyeshëm për Shqipërinë si gjithë Europa! #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan kryetari demokrat në postimin e tij të shoqëruar me ftesën video.
Në mesazhin video Basha rendit të gjithë arsyet se pse shqiptarët e bashkuar në protestën e sotme.
“Kriminelë në qeveri dhe parlament. Banditë në krye të bashkive. Hajdutë votash dhe banda në policinë e shtetit. Qeveria e krimit i ka përdhosur shqiptarët. Lukunia e hienave u demaskua! Politika e kriminelëve vdiq! Boll më me Shqipërinë që duan ata! Është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre nuk ja vret dot kush të ardhmen! Thuhet në spotin e shpërndarë në FB.
Në këto spot janë fotot e kryebashkiakëve Dako i Durrësit, Bushi i Krujës, si dhe përfshihen edhe ato të përgjimeve të gazetës gjermane “Bild”, e cila botoi disa audiopërgjime ku flitet për shitblerjen e votave në Dibër dhe në Durrës.
Një ditë më parë kryedemokrati në një prononcim për median vizive ka deklaruar se në protestë do të jetë së bashku me familjen e tij. “Dua t’u them shqiptarëve është: Unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”, deklaroi Basha.
Gjithashtu kryedemokrati ka siguruar se në protestën e sotme nuk do të ketë asgjë pavarësisht aludimeve. “Ju bëj thirrje: Merrni fëmijët me vete. Nuk do të ketë asgjë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qenë në komunikim”, theksoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



