Futboll

Lukaku dhe tani Morata, ‘ndeshja’ e dyfishtë mes Juventusit dhe Interit në merkato

Gazeta Si – Përforcime, duke dobësuar rivalët. Kjo është strategjia e Juventusit në merkato. Nga Lukaku te Morata, interesat e klubit bardhezi përplasen mbi të gjitha me ato të Interit, duke komplikuar, penguar dhe prishur punën e atyre që merren me merkaton zikaltër.

Xhuntoli ka si objektiv që të sistemojë llogaritë te Juventusi dhe të ndërtojë një skuadër kompetitive, por edhe të qëndrueshme. Është e pamohueshme që lëvizjet e para të drejtuesit të ri juventin tregojnë se ai kërkon të fitojë mbi punën e Marotës dhe Auzilios tek Interi.

Morata feston një gol me fanellen e Juventusit. Gazeta Si, 19 korrik 2023

Në pritje për të kuptuar, nëse do të vijnë dhe kur do të vijnë ‘ofertat e parezistueshme’ për Vlahoviçin dhe Kiezën, si dhe për të mbyllur marrëveshjen me Çelsin për Lukakun, Juventusi është kthyer fuqishëm tek Alvaro Morata. Ditën kur agjenti i spanjollit takoi drejtuesit e Interit, më parë kishte biseduar me drejtorin sportiv të Juves, Mana. Ata kanë lënë takim sërish, ndoshta që sot.

Në këto kushte, Interi duhet të përballet edhe me konkurrencën e Juventusit dhe Romës. Një situatë që kënaq Atletikon e Madridit, që për sulmuesin e tij kërkon 21 milionë euro për klauzolën e prishjes së parakohshme të kontratës. Marota ka afruar 15 dhe spanjollët kanë refuzuar.

Për momentin Alvaro Morata mbetet pezull. Ai do të preferonte të merrte avionin për në Itali, ndërsa destinacioni egzakt mbetet i panjohur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë