Nga Gazeta Si – Kampionia e Europës, Luiza Gega ka thyer një tjetër rekord kombëtar.
Gega ka fituar garën për femra për kategorinë Gjysmë-Maratonë (Half Marathon).
Ajo ka kryesuar 21 kilometërshin për kategorinë femra për 70 minuta e 18 sekonda. Në një deklaratë për mediat, Gega deklaroi se ka përmirësuar kohën e rekordit dhe ka marrë një energji të jashtëzakonshme.
“Nuk di të them a ka kënaqësi më të bukur të vraposh në vendin tënd. Kam thyer një rekord të ri kombëtar në gjysmë maratonë. Merr një energji që nuk e di se e ke ku gjatë gjithë kohës ka njerëz që të brohorasin. U mundova ta arrija deri në fund. Prej 40 sekondash kam përmirësuar kohën time dhe vazhdoj të jetë në top-formë. 2022 do jetë në memorien time për shumë gjatë”, tha Gega.
Gega shtoi se organizimi ka ardhur në përmirësim vit pas viti, ashtu si edhe pjesëmarrja e njerëzve. Ajo vlerësoi rëndësinë e këtij eventi dhe u shpreh e lumtur që edhe Tirana më në fund ka maratonën e saj si kryeqytetet e tjera të botës. Ndër të tjera, kampionia rrëfeu dhe për numrin e rekordeve këtë vit si dhe synimet e së ardhmes.
“Janë shumë. Besoj që unë nuk i kam numëruar. Di që vetëm që këtë vit kam thyer mos gaboj, 6 rekorde, sigurisht në disiplina të ndryshme. Në garat e pistës, sepse unë aty jam edhe në fokus, gjer për Lojërat Olimpike Paris 2024 sepse unë aty jam në fokus, te garat e pistës dhe te gara ime që unë kam shumë vite që stërvitem 3000 metra me pengesa, por që besoj shumë që në të ardhmen do t’i marr seriozisht akoma më shumë garat e rrugës për të sjellë rekorde më të mëdha sepse sigurisht nuk e kam marrë maksimumin në garat e rrugës, këto vijnë thjesht si një përgatitje e mirë që unë bëj për garat e pistës, por që më vjen natyrshëm pastaj ky rekordi i rrugës, por kam akoma për të dhënë në garat e rrugës, në qoftë se unë stërvitem më specifikisht, pikërisht për këto gara”, është shprehur ndër të tjera Gega.
Për fituesit do të shpërndahen edhe çmime, çka konkretisht Luiza Gega fiton 2 mijë euro për vendin e parë në Gjysmë-Maratonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




