Liverpool ishte i pafuqishëm për të ndalur Paris Saint-Germain në UEFA Champions League dhe pyetja që ngrihet është – A do të mundet Luis Enrique ti japë fund agjërimit të PSG në kompeticion? Për një kohë të gjatë te Paris Saint-Germain mendonin se rruga drejt suksesit ishte kopjimi i filozofisë “galácticos” nga Real Madrid. Por kur Lionel Messi, Neymar dhe Kylian Mbappé u larguan pa asnjë trofe të UEFA Champions League, të shumtë ishin ata që menduan se ky klub nuk do ringrihej më, të paktën në të ardhmen e afërt.

Për të qënë të drejtë, parizienët nuk është se shkëlqyen në fazën e Ligës dhe fitoret ndaj Manchester City-t dhe Stuttgart në dy javët e fundit, mjaftuan për të siguruar një vend në raundin play-off. Mirëpo PSG kishte ndërtuar një skuadër me lojtarë të akademisë dhe në merkato shpenzoi vetëm 50 milionë euro për 3 lojtarë, përpara se të investonte për Khvicha Kvaratskhelia në Janar nga Napoli. E megjithatë kur skuadra zbriti në “Anfield” të martën, ishte e pamundur të mos dalloje se PSG ishte një entitet tjetër krahasuar me fillimin e sezonit.

E sigurisht që këtu del në pah emri i Luis Enrique-s që në karrierën e tij ka suksese të shkëlqyera nëpërmjet një futbolli me kualitet të lartë. Te Barcelona në sezonin 2014-15 realizoi Treble (La Liga – Copa del Rey – Champions League). Por ende jo të gjithë e vendosin në të njëjtin nivel me Pep Guardiola-n, Jürgen Klopp, Carlo Ancelotti-n apo dhe të tjerë trainerë të mëdhenj në Evropë. Duke parë efektin sizmik të eleminimit të Liverpool (pas asaj që po bën në Premier League) ishte e kuptueshme që fokusi do të kthehej nga traineri spanjoll.

Prej ndeshjes së parë që drejtoi në Champions League në sezonin 2014-15, Luis Enrique ka fituar 63.2% të sfidave; vetëmHansi Flick (85.7%) dhe Carlo Ancelotti (63.5%) kanë një paraqitje më të mirë në këtë periudhë. Në historinë e Champions League, 63.2% fitoret e Luis Enrique-s e vendosin të dytin mes kolegëve që kanë drejtuar të paktën 30 ndeshje. Jupp Heynckes (68.1%) është përpara tij ndërsa Pep Guardiola (61.9%), Frank Rijkaard (61%) dhe Louis van Gaal (60%) jane të vetmit që kanë 60% apo më shumë fitore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.