Ka ndodhur

Luigi Soreca paditet në SPAK për korrupsion

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka përfunduar si i kallëzuar penalisht në organet e reja të drejtësisë, që vetë ka promovuar përgjatë të gjithë detyrës si përfaqësues i Brukselit në Tiranë.

Kallëzimi ndaj Sorecas është dorëzuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në Prokurorinë e Posaçme. Ai akuzohet nga Aleanca për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të lartë shtetërore”, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

“(Kërkojmë) Fillimin e ndjekjes penale për personat e kallëzuar prej nesh Luigi Soreca dhe Erion Veliaj për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, ose të zgjedhurve vendorë”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i te zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim”, thuhet në objejtin e padisë së dorëzuar nga Aleanca.

Aleanca thotë se Ambasadori i BE ka konsumuar veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror në takimin e mbajtur në Gjykatën Kushtetuese më 16 qershor me kryetaren e kësaj gjykate, Vitore Tusha.

Sipas Aleancës, takimi i mbajtur në ditën që në këtë gjykatë do të zhvillohej seanca e radhës për çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Shqetësimi i drejtë dhe shumë i madh i yni ishte se, jo vetëm që ky takim u mbajt i fshehtë si nga Gjykata Kushtetuese ashtu dhe nga ambasadori Soreca, por edhe kur ne e bëmë publik këtë fakt (fakt i pranuar edhe nga vetë palët në këtë takim), reagimi i papjekur dhe flakë për flakë i Delegacionit të BE-së dhe ambasadorit të saj, vërtetoi dyshimet tona të arsyeshme në lidhje më ushtrimin e ndikimit të paligjshëm në pushtetin gjyqësor”, thuhet në padi.

Zyra e Bashkimit Europian ka hedhur poshtë këto akuza. Zyra tha se takimi i Soreca-s me Vitore Tushën ka qenë i planifikuar dhe paralajmëroi padi për shpifje ndaj përfaqësuesve të Aleancës për Teatrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë