Futboll

Luhet kualifikimi, Tirana me mision përmbysje në ‘Air Albania’

Gazeta Si – Tirana është skuadra e parë shqiptare që diskuton kualifikimin në turin tjetër të Kupave të Europës. Kampionët në fuqi luajnë sot aktin e dytë në turin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.

Në ‘Air Albania’, në orën 20:00, Tirana ndeshet me Dedelange të Luksemburgut. Ndeshjen e parë skuadra e Shehit e ka humbur 1-0 dhe sot ka përpara misionin e vështirë të përmbysjes. Nuk është e lehtë, por me ndihmën e tifozëve kryeqytetasit kanë mundësi reale kualifikimi.

Nga ndeshja e parë në Luksemburg. Xhixha në aksion. Gazeta Si, 12 korrik 2022

Trajneri Orges Shehi dhe kapiteni Marsel Ismailgeci kanë folur me optimizëm përpara kësaj sfide. Tiranës i mungon mesfushori Vesel Lilaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë.

Në Luksemburg kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të dobët, por mbrëmjen e sotme pritet një tjetër muzikë. Disa largime të rëndësishme, si Hoxhallari dhe Toli, duket se e kanë dëmtuar jo pak Tiranën. Megjithatë, shanset për kualifikim janë dhe tani fjalën e ka fusha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë