Një ditë pas mbylljes jo pa tensione të vizitës së Aleksandër Vuçiçit në veri të Kosovës, në Prishtinë mbërriti një delegacion me udhëheqësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Delegacioni u prit nga Presidenti i Kosovës, Hashimt Thaçi, të cilit i kanë dorëzuar një projektrezolutë për t’u votuar në Parlamentin kosovar. Projektrezoluta shpreh vullnetin e banorëve të Luginës së Preshevës në bazë të referendumit të vitit 1992, që kërkojnë bashkim me Kosovën.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, pas takimit, në një konferencë për media ka thënë se presin që draft-rezoluta e paraqitur të shkojë sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës dhe ajo të votohet.
Ai u bëri thirrje gjithë Grupeve Parlamentare të Kosovës, PDK-së, LDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes, PSD-së, Nismas Socialdemokrate, Alternativa dhe gjithë partive të tjera në Parlament që të nxjerrin sa më shpejt të jetë e mundur këtë draft-rezolutë në seancë të jashtëzakonshme.
“Ne liderët politikë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës iu drejtohemi me një kërkesë publike liderëve të Kosovës, që në një periudhë sa më të shkurtër kohore të miratojnë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do ta përkrahin vullnetin e tyre politik të shpallur me një rezolutë e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për bashkimi tonë me Kosovën. Po ashtu përmes këtij draft-rezolute kemi kërkuar që Lugina e Preshevës të përfshihet në ekipin negociator të dialogut Kosovë- Serbi. Mendoj se kjo është një kërkesë legjitime dhe nuk krijohet disbalancë”, ka thënë Arifi.
Arifi thotë se udhëheqësit, por edhe vetë qytetarët e Luginës e kuptojnë që bashkimi është një mision i vështirë, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë që ata duhet të dorëzohen dhe të mos bëjnë përpjekje për ta arritur këtë objektiv.
“Qytetarët e Luginës së Preshevës janë të entuziazmuar nga mundësia për t’iu bashkangjitur Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.
Vetë Presidenti i Kosovës njohu nevojën që Lugina t’i bashkohet Kosovës. Tha se këtë po kërkon prej kohësh dhe iu shmang sqarimit se me çfarë kostoje për vetë shtetin më të ri në Europë mund të mbërrijë kjo.
Ai u pyet nëse do ta vizitojë Luginën, ashtu siç Vuçiç vizitoi Kosovën këtë fundjavë.
“Përfaqësuesit e Preshevës dhe Bujanocit më ftuan që të vizitoj Preshevën. Por, Beogradi nuk po e sheh të arsyeshme që unë ta vizitoj dhe nuk mundem ta vizitoj pasi jam i dënuar atje. Nuk kam bërë ndonjë kërkesë ndonjëherë, pasi e di përgjigjen e tyre”, është shprehur ai.
Mundësinë që Thaçi të vizitojë Preshevën nuk e përjashtoi kryeministrja serbe, Ana Brnabiç. E cituar nga mediat vendase ajo thotë se deri më tani nuk ka asnjë kërkesë zyrtare, por nëse kërkesa dorëzohet ajo do të shqyrtohet, sipas saj, “me seriozitetin” më të madh nga qeveria.
“Ne mund të garantojmë vizitën e cilitdo në vendin tonë, pasi jem shtet i qëndrueshëm dhe i konsoliduar”, tha ajo, duke nënkuptuar, sipas saj, paaftësinë e autoriteteve të Kosovës për të siguruar vizitën e Aleksandër Vuçiçit në fshatin Banjë në zonën e Drenicës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.