Aventura e Klodian Duros te Gjilani zgjati shumë pak. Ish-mesfushori i njohur i kombëtares shqiptare, firmosi me klubin dardan gjatë muajit qershor. Duke zëvendësuar Zekirija Ramadanin në stolin e “Skifterave”.
45-vjeçari drejtoi Gjilanin në dy duelet e raundit të parë në Conference League kundër Niedercorn (Luksemburg). Kualifikimi nuk u arrit, teksa erdhi largimi i presidentit Florim Zuka.
Situata në klub nuk është më e mira, e ardhmja e Gjilanit është në “udhëkryq”, ndërkohë që është larguar edhe Duro. I cili thekson se ishte shumë e bukur për aq sa zgjati aventura e dytë në Kosovë.
“Fund. U bashkuam pa e pritur njeri dhe po kështu po ndahemi. Në luftë shkohet me trima dhe trimat e mi luftuan si asnjëherë më parë në dy përballje shumë të forta, ku ishim të pabarabartë në numër.
Në të parën 11 kundër 14 dhe në të dytën 10 kundër 14, por asnjëherë dhe në asnjë moment nuk u dorëzuam. Luftuam si heronj të vërtetë, ashtu siç i ka hije trimave të Kombit.
Pritëm deri në fund të gjithë bashkë për të luftuar përsëri në betejat që kishim para, por ishte e pamundur. Ishte shumë e bukur për aq sa zgjati dhe largohemi të gjithë me kokën lart si shqiponja. Faleminderit djem”, shkruan Duro.
Kjo ishte eksperienca e dytë në futbollin dardan pas asaj me Feronikelin për trajnerin nga Elbasani, i cili më parë ka drejtuar edhe skuadra si Kukësi, Kamza, Luftëtari dhe Lushnja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




