Futboll

Luftëtari në ditët më të errëta, rrezikon shkrirjen

Bojkoti vijon të jetë një temë e hapur në një kohë kur palët, Liga e Profesionistëve, FSHF dhe Qeveria Shqiptare i qëndrojnë strikt qëndrimit të tyre. Por për ekipin e Luftëtarit, bojkoti është gjëja më e pa e rëndësishme në këto momente. Ekipi 90- vjeçar, nga i cili kanë dalë mjaft emra të mëdhenj si: Millo, Braho, Xhumba, Haxhi etj po përjeton momentin më të errët të historisë së saj.

Ventpilis-Luftëtari

Skuadra qe deri para disa sezonesh luante kupat e Evropës po shkon drejt shkrirjes. Lojtarët kanë mbi një muaj që kanë braktisur stërvitjen dhe situata nuk duket aspak premtuese. Janë të shumta faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë, por kryesorja është keqadministrimi. Menjëherë, pasi i dhanë lamtumirë Superligës, presidenca gjirokastrite nisi punën për sezonin e ri. Që prej datës 15 gusht filloi grumbullimi i lojtarëve si dhe emërimi e trajnerit Marko Jovanovic. U zhvilluan edhe disa miqësore. Me 15 shtator nisi bojkoti dhe fillimisht u mendua se do zgjaste 2-3 ditë. Stafi kërkonte pagat e prapambetura. Edhe pse fillimisht u duk si diçka kalimtare, që prej asaj dite asgjë nuk ka ndryshuar. Nga qyteti janë larguar trajneri dhe të gjithë lojtarët, ku kanë ngelur vetëm 4-5 lojtarë nga të rinjtë. Tifozët dhe ata që kanë kontribuar ndër vite kërkojnë një përgjigje, por deri tani nuk ka asnjë reagim, askush nuk guxon të marrë përgjegjësinë e këtij dështimi.

Prezantimi i trajnerit

Ajo që e bën akoma edhe më të trishtë këtë situatë është fakti që përveçse ekipit të parë, këtë vit nuk është krijuar as ekipi U21, edhe U19 është thuajse i shpërbërë. Futbolli në qytetin që dikur krenohej me talentet,  po shkon drejt një vdekje të ngadaltë dhe të tmerrshme. Këtë sezon do të militojë në Kategorinë e I, por e ardhmja është akoma edhe më e dhimbshme. Në këtë situatë, pa një ekip dhe pa kushte, ekipi rrezikon të bjerë në Kategorinë e Tretë. Nëse edhe më pas nuk marrin pjesë, atëherë ekipi shkrihet, siç ndodhi vjet me ekipin e Kamzës. Ndërkohë që të gjithë janë fokusuar te bojkoti, një tjetër ekip i lavdishëm rrezikon të përfundojë në arkivën e futbollit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë