Futboll

Luftëtari ndez motorët, Duro dhe Dalipi me mision në Gjirokastër

Me shumë vonesë dhe me shumë pak lojtarë, por Luftëtari i ka ndezur motorët për sezonin e ri futbollistik. Ekipi gjirokastrit që këtë verë ka qenë në një gjendje gati shkrirje me largimin e presidentit, Grigor Tavo dhe një numër të madh lojtarësh të larguar, tenton të fitojë kohën e humbur.

Gjithçka ka nisur nga pankina, e cila në sezonin e ri do të drejtohet nga një trajner shumë ambicioz dhe i suksesshëm në vitet e fundit, si Klevis Dalipi. Elbasanasi është prezantuar zyrtarisht dhe që nga sot do të përveshë mëngët për të bërë një ekip që për momentin është ajër. Por Dalipi nuk do të jetë i vetëm në këtë aventurë gjirokastrite, pasi në krahun e tij si drejtor teknik do të ketë një tjetër elbasanas, si Klodian Duro. Ky i fundit provon për herë këtë rol në Superligë, pasi më herët ka qenë në rolin e trajnerit.

Pa Tavon, me disa sponsorë të rinj dhe me mbështetjen e bashkisë Gjirokastër, Luftëtari do të nis këtë vit një cikël të ri, në përpjekje për të ruajtur traditën e bukur të 3 viteve të fundit. Dalipi në prezantimin e tij te Luftëtari nuk ka bërë premtime të mëdha, por theksoi se për karrierën e tij ky është një bast, të cilin ai do të kërkojë me çdo kusht që ta fitojë.

“Pranova me kënaqësi ftesën e drejtuesve. Jam këtu për të formuar skuadrën dhe ‘basti’ im është që deri në fund të sezonit klubi të shesë një ose dy lojtarë. Do të bazohemi te elementët e rinj dhe kryesisht te futbollistët shqiptarë. Gjatë këtyre ditëve do të ketë edhe shumë lojtarë në provë. Objektivi minimal është qëndrimi në Superiore, por do të shohim hap pas hapi. E rëndësishme është të formojmë një grup dinjitoz, që të përballoj më së miri garën. Do të punojmë me ata lojtarë që kanë dëshirë për të punuar, sesa ata që kanë cilësi, por nuk angazhohen sa duhet”, ka thënë Klevis Dalipi ndër të tjera.

Në krahun e Dalipit në konferencën e prezantimit si trajner i Luftëtarit ka qenë Artur Dadaj. Ky i fundit në cilësinë e aksionerit me 18%, këtë vit do të mbulojë edhe pozicionin e drejtorit sportiv, me fokus të veçantë merkaton. Për këtë në fakt Luftëtari duhet të nxitojë, pasi kohë nuk ka shumë.

Shpejt mbaron merkato dhe gjithashtu po aq shpejt po afron edhe fillimi i kampionatit, për të cilin drejtuesit e Luftëtarit shpresojnë që të shtyhet dhe të kenë mundësinë e bërjes së një faze përgatitore sa më normale. Nesër fillon zyrtarisht puna për ringritjen e ekipit në Gjirokastër, pasi të zbarkojë edhe drejtori sportiv, Klodian Duro dhe disa prej lojtarëve që janë ende nën kontratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë