Futboll

Luftëtari gjen trajner, firmos Julian Ahmataj

Brenda një sezoni tre trajnerë, është një gjë shumë rrallë në futbollin europian, por për Superligën shqiptare është mëse normale. Pas Kamzës dhe Laçit, është radha e Luftëtarit që të provojë shanset në këtë kampionat me trajnerin e tretë brenda një sezoni.
Skuadra gjirokastrite ka arritur marrëveshjen me teknikun Julian Ahmataj, pas largimit të Gentian Mezanit dy ditë më parë. Tekinku 40-vjeçar ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Luftëtarit dhe do të vihet në drejtimin e ekipit, duke filluar që nga dita e nesërme.

Edhe pse zyrtarizimi nuk është bërë ende nga të dyja palët, burime të Gazetës Si pranë trajnerit dhe klubit kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Nuk bëhen të ditura ende detaje të marrëveshjes, lidhur me shumën që do të përfitojë Ahmataj në Gjirokastër, por edhe kohëzgjatjen e saj. Pas sllovenit Milosh Kostiç dhe vlonjatit Gentian Mezani, Ahmataj do jetë i treti që do të provojë të mbajë Luftëtarin në Superiore.

Pritet që në ditët e ardhshme Ahmataj të bëjë edhe prezantimin zyrtar para skuadrës, por edhe para medieve. Kjo është aventura e radhës për Julian Ahmataj në drejtim të një ekipi në Superligë me misionin për ta shpëtuar. Vitin e shkuar elbasanasi ia doli që të shpëtojë Kamzën nga rënia, por drejtuesit nuk besuan tek ai dhe gjatë verës ai u largua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë