Një “lojë e madhe” po zhvillohet prapa perdeve gjatë përgatitjes për Samitin Bashkimit Evropian, ku ministrat po diskutojnë për vendosjen ose jo të sanksioneve ndaj Turqisë. Deri më tani, Europa është e ndarë në dy “grupe”.
Duke folur mëngjesin e sotëm nga Brukseli, ministri i Jashtëm gjerman Haiko Maas i la të hapura mundësitë për sanksione kundër Turqisë, edhe pse një pjesë e vendeve anëtare kanë thënë që nuk kanë asnjë interes ekonomik të bllokojnë tregtinë me Ankaranë.
Mediat greke shkruajnë se Franca, Austria, Luksemburgu, Sllovenia, Holanda, vendet Baltike, Belgjika, Irlanda dhe Danimarka janë në favor të sanksioneve. Por Gjermania, Italia, Spanja, Malta, Hungaria dhe Polonia janë kundër sanksioneve të ashpra kundër Ankarasë. Në këto kushte, sipas mediave, sanksionet duken se kanë mbetur në dorën e Angela Merkelit.
Rezistenca më e madhe ndaj masave serioze duket se është nga Gjermania, e mbështetur nga Italia. Ndërkohë Spanja dhe Malta thonë se do të preken nga sanksionet e ashpra ndaj Ankarasë pasi ato janë të ekspozuara ndaj Turqisë. Polonia dhe Hungaria gjithashtu thonë se do të preken negativisht nga sanksionet.
Athina ka prezantuar një listë masash muajin tjetër, duke përfshirë një embargo mbi shitjet e armëve dhe pajisjeve të mbrojtjes në Turqi dhe ndërprerjen e fondeve të para-pranimit të BE në Ankara. Për më tepër, pala greke po kërkon gjithashtu të pezullojë pjesëmarrjen e Turqisë në projektet e BE-së.

Greqia këmbëngul gjithashtu për embargo të armëve kundër Turqisë, pezullimin e negociatave të pranimit dhe mbylljen e kanalit të financimit të BE për kompanitë turke. Sanksionet në sektorët e energjisë dhe bankave, si dhe në sektorin e transportit, gjithashtu konsiderohen të mundshme.
Megjithatë, një burim diplomatik europian thotë se propozimi i embargos, një përparësi e menjëhershme për Athinën, nuk pritet të marrë mbështetje të gjerë në samit.
Muaji tetor shënoi kulmin e tensioneve mes Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor dhe dy vendet ishin në prag të luftës.
“Ne kemi pasur shumë muaj të vështirë me Turqinë. Kishte momente me intensitet të lartë që duhej të ishim shumë të kujdesshëm. Turqia kishte mundësinë për të tërhequr “Oruc Reis” në tetor por nuk e bëri. Ajo e bëri atë disa ditë para Samitit” tha në një deklaratë kryeministri Qiriako Mitsotaqis.
Ai përsëriti se Greqia është e gatshme të negociojë me Turqinë, ndërsa në rast bllokimi, do ta çojë çështjen e konfliktit për kufirin detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, si me Shqipërinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




