Politike

“Luftë gylenistëve”, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar: Qeveria të mos importojë në Shqipëri politikën e Turqisë

Nga Gazeta Si - Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë funksionon prej 17 vitesh si një organizim vullnetar mes komuniteteve fetare, të cilët përfaqësohen atje nga drejtuesit më të lartë të klerit në Shqipëri. Pas hapjes së Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë dhe vizitës së Presidentit turk Erdogan, ku u dhanë mesazhe kontraverse për harmoninë fetare, përfaqësues të Këshillit Ndërfetar nuk kanë heshtur. Njëri prej tyre është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit, Genti Kruja. Në një intervistë për Gazetasi.al, ai vlerësoi hapjen e xhamisë, e pritur nga besimtarët për gati një shekull, por nuk ngurroi të flasë edhe për disa pika të nxehta të vizitës së Presidentit Erdogan, për të cilat Komuniteti Mysliman, ka zgjedhur të heshtë. Pa dashur të përfshihet në debatin e përjashtimit të Kryetarit të Komunitetit Mysliman nga ceremonia e Inaugurimit, zoti Kruja nuk anashkaloi prishjen e traditës shqiptare për të mos ftuar në një ngjarje kaq të rëndësishme përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, siç ka ndodhur në të shkuarën për evente të ngjashme nga Kisha Ortodokse apo ajo Katolike. “Po të ishte ndjekur e njëjta traditë edhe me hapjen e “Namazgjasë” sigurisht që do të ishte më bukur, por le të shohim anën pozitive të çështjes, xhamia u hap. “- thotë zoti Kruja, pa dashur t’i hedhë benzinë zjarrit. Aty ku ai është më i drejtpërdrejtë lidhet me mesazhin që u dha në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja i bën thirrje qeverisë shqiptare të mos ndjekë politikën e Presidentit të Turqisë në raport me lëvizjen e Fetullah Gylenit, e cilësuar si një organizatë terroriste nga qeveria turke.

“Mendoj se qeveria shqiptare duhet të mbajë qëndrimin e aleatëve të saj strategjikë, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, duke mos pranuar importimin e konflikteve politike të Turqisë në vendin tonë”, tha zoti Kruja duke komentuar deklaratën e Presidentit Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama se ata kishin rënë dakord të bënin një luftë të përbashkët ndaj organizatës terroriste FETO. Pedagog në Kolegjin Universitar Beder, i administruar nga një fondacion i themeluar prej Komunitetit Mysliman Shqiptar, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja thotë për Gazetasi.al se, pavarësisht se lëvizja “Hizmet” e Fetullah Gylenit ka bërë investime shumë të rëndësishme në arsim, asnjë institucion në Shqipëri nuk pretendon se përfaqëson lëvizjen Gylen.

“Kjo është një luftë politike e Turqisë, e cila duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj dhe nuk ka pse të shërbejë për të krijuar konflikte artificiale të importuara nga jashtë në Shqipëri”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë për intervistën në Gazetasi.al, gjatë së cilës trajtoi edhe çështjen e mungesës së Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe të përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare gjatë ceremonisë së inaugurimit të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë. 

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja

Gazeta Si: Çfarë mesazhi dha për besimtarët myslimanë dhe shoqërinë shqiptare mungesa e drejtuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar në inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë?

Genti Kruja: Besimtarët myslimanë shqiptarë dhe, në veçanti, ata kryeqytetas, kanë gati një shekull që e presin hapjen e xhamisë së Namazgjasë, si një nevojë të kahershme.

“Kryeqyteti ka nevojë për nji Xhami të madhe e moderne”. Me këtë titull do të hapej artikulli i revistës “Zani i Naltë”, organi i vetëm zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në qershor 1938. Kjo ëndërr shekullore e myslimanëve shqiptarë e sidomos e banorëve të kryeqytetit, u pre në mes nga Lufta e Dytë Botërore dhe instalimi i regjimit komunist në Shqipëri për t’u rikthyer si nevojë dhe më e madhe pas rënies së komunizmit juridikisht në fillim të viteve 90’. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë zgjodhi, që në këtë ceremoni të përfaqësohej me Myftiun e Tiranës, i cili është njëkohësisht dhe anëtar i Kryesisë së KMSH-së, prandaj më shumë sesa kush mori pjesë, rëndësi ka realizimi, përfundimi dhe hapja e kompleksit të Namazgjasë, e cila krahas xhamisë ka dhe një qendër kulturore multifunksionale.

Gazeta Si: Si e gjykoni prishjen e traditës për të ftuar në ceremoni të tilla edhe përfaqësues nga komunitetet e tjera fetare?

Genti Kruja: Për shkak të një investimi të Komunitetit Mysliman të Turqisë, organ shtetëror atje, ndryshe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i themeluar më 1923, i cili është i pavarur nga shteti, inaugurimi i hapjes së kompleksit të Namazgjasë, me sa duket, është organizuar nga protokollet shtetërore të palës shqiptare dhe asaj turke, prandaj kjo përgjegjësi i takonte atyre që e organizuan. Nuk mendoj se ka një traditë absolute të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve në çdo hapje objekti kulti, por ka ndodhur në raste të veçanta dhe historike, sidomos në ringritjen e tyre pas regjimit komunist, siç mund të përmendet bashkëpunimi myslimano- i krishterë për organizimin e meshës së parë katolike në Rrmajë dhe falja e xhumasë së parë në xhaminë e Plumbit, Shkodër në nëntor 1990, pjesëmarrja e Nënë Terezës në rihapjen e Kryegjyshatës Bektashiane në 1992, pjesëmarrja e Hafiz Sabri Koçit në meshën e parë katolike në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër, pjesëmarrja e liderëve të komuniteteve fetare në ceremoninë për katedralen “Shën Pali” në Tiranë, ku liderët e tre besimeve fetare, kreu i KMSH-së Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, kreu i KISHËS Ortodokse dhe Monsignor Rrok Mirdita, Arqipeshkv i Tiranës mbollën dhe nga një selvi në oborrin e katedrales katolike. Raste të ngjashme ndodhin dhe në diasporë, ku të gjithë së bashku marrin pjesë në inaugurime të tilla. Po të ishte ndjekur e njëjta traditë edhe me hapjen e “Namazgjasë” sigurisht që do të ishte më bukur, por le të shohim anën pozitive të çështjes, xhamia u hap.

Gazeta Si: Xhamia e re do të menaxhohet nga një fondacion i përbashkët shqiptaro- turk. Pse duhet pranuar ky koncesion, kur xhamia është dhuratë dhe duhet t’i përkiste plotësisht KMSH?

Genti Kruja: Së pari, mund të them që kjo çështje i përket marrëdhënieve mes dy palëve që kanë bashkëpunuar për ndërtimin e xhamisë, Komunitetit Mysliman dhe Dijanetit turk, por teknikisht mund të them se fondacionet shërbejnë kur menaxhimi ka një përgjegjësi më të madhe se sa thjesht një objekt. KMSH ka edhe raste të tjera të ngjashme ku aktivitetet menaxhohen nga fondacione. Duke qenë se menaxhimi i kompleksit të Namazgjasë përmban mirëmbajtjen dhe menaxhimin e xhamisë, qendrës kulturore, e cila ka një sallë konferencash, 350 vendesh, një sallë mbledhjesh 100 vendëshe, muzeun islam, bibliotekën, një qendër për media, zyra, dyqane, ambiente të tjera për ekspozita, parkim 2 kate nën tokë me një kapacitet të konsiderueshëm, është e natyrshme, që kërkon një menaxhim dhe në krye të këtij fondacioni është emëruar myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja. Xhamia është në truall shqiptar, vakëf prej shekujsh dhe do të vazhdojë të jetë shqiptare, pavarësisht politizimit që iu bë në hapjen e saj.

Gazeta Si: Përbën shqetësim deklarata e presidentit turk se,“bashkë me qeverinë shqiptare, do të luftojnë organizatën terroriste FETO në Shqipëri”?

Genti Kruja: Kjo është një luftë politike e Turqisë, e cila duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj dhe nuk ka pse bëhet as objekt diskutimi, as të shërbejë për të krijuar konflikte artificiale të importuara nga jashtë në Shqipëri. Haxhi Vehbi Dibra, firmëtar i pavarësisë, kryetari i parë i Kuvendit më 1912, kryemyfti i Shqipërisë dhe kryetari i parë i KMSH-së në 1923, ai i cili, për flamurin shqiptar, dha dhe fetvanë (ligjshmërinë islame), ka lënë një trashëgimi jashtëzakonisht të rëndësishme për pavarësinë institucionale, ndjenjat kombëtare, të cilat duhet të vazhdojnë të jenë të panegociueshme për KMSH sot dhe mot.

Gazeta Si: Çfarë qëndrimi duhet të mbajë qeveria shqiptare në çështjen e lëvizjes Hizmet të Fetullah Gylenit, që ka ndihmuar me disa investime në arsim në Shqipëri?

Genti Kruja: Së pari, qeveria shqiptare operon në varësi të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit shqiptar dhe çdo subjekt në territorin e vendit e trajton në raport me respektimin ose jo që subjektet i bëjnë ligjeve të vendit. Në aspektin politik pastaj, mendoj se qeveria shqiptare duhet të mbajë qëndrimin e aleatëve të saj strategjik Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, duke mos pranuar importimin e konflikteve politike të Turqisë në vendin tonë dhe zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Investimet e Lëvizjes “Hizmet” në arsim mbeten ndër investimet më të rëndësishme në këto vite demokracie, sepse ishin shkollat e para jopublike, që u hapën në Shqipëri, duke arsimuar mijëra të rinj pa dallim feje apo origjine, si qytetarë model, kontribuues të zhvillimit dhe përparimit të vendit. E megjithatë, në dijeninë time, ndjekësit e kësaj lëvizjeje kanë një lidhje kulturore me lëvizjen, në kuadrin e simpatisë dhe parimeve dhe rrjedhimisht nuk ka ndonjë institucion, që të pretendojë se përfaqëson lëvizjen “Gylen”.

Gazeta Si: Inaugurimi i xhamisë së re e përforcoi perceptimin se në Shqipëri po përvijohet një ndarje mes besimtarëve myslimanë në erdoganistë dhe gylenistë. Shihni rrezik për një realitet të tillë, ku politika ka ndikimin e saj?

Genti Kruja: Ky është më shumë një perceptim mediatik, i cili nuk përkon me realitetin. Unë nuk do të pranoja një ndarje të tillë, sidomos me prapashtesa të tilla “ist” dhe “izm”, por si në çdo vend demokratik edhe pse me një demokraci të brishtë, si vendi ynë, njerëzit janë të lirë të simpatizojnë një lider politik, apo një lider shpirtëror, të cilët përfaqësojnë krejtësisht botëkuptime të ndryshme. Ndërhyrja në mendime dhe pëlqime do të na çonte në mendësi komuniste, ku dikush kërkon të diktojë se çfarë të lexosh, mendosh, apo simpatizosh. Përgjegjësia para ligjit, respektimi i tij duke u bazuar mbi parimin e së drejtës është rregullatori më i mirë i qëndrimeve dhe sjelljeve të gjithkujt.

Gazeta Si: Përbën kjo një çështje që mund të shtrohet për diskutim në Këshillin Ndërfetar që ju përfaqësoni dhe, bashkë me të, edhe ideja për krijimin e një shteti bektashi?

Genti Kruja: Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, një institucion i themeluar nga komunitetet tradicionale fetare në Shqipëri më 2007, i cili ka disa borde dhe departamente, së bashku me disa komisione dhe grupe pune, mblidhet herë pas here për të diskutuar për probleme të ndryshme të përbashkëta në kuadër jo vetëm të promovimit të harmonisë ndërfetare në vend dhe më gjerë, por edhe të gjetjes së zgjidhjes për situata të ndryshme, që mund të jenë shqetësuese për shoqërinë shqiptare dhe komunitetet fetare. Gjatë këtyre takimeve shpesh janë diskutuar dhe problematika të ndryshme, që lidhen me përgjegjësinë e shtetit, të cilat në shumë raste KNFSH i është drejtuar me shkresë organeve kompetente, apo janë bërë dhe deklarata për shtyp. Në rastet e fundit nëse anëtarët e Bordit të Presidencës, të cilët janë liderët e pesë komuniteteve fetare në vend e shohin të arsyeshme, apo nëse dikush prej tyre kërkon takime dhe mbledhje me një agjendë të caktuar, patjetër, që mund të organizojmë takime për të diskutuar çështjet në fjalë. Në parim, të gjithë anëtarët e KNFSH-së kanë qenë dhe janë për mospolitizimin e fesë dhe për ruajtjen e pavarësisë institucionale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë