Bota

Luftë dronësh mes Kievit dhe Moskës, tre civilë të vdekur në rajonin rus të Belgorodit

Gazeta Si – Në ditën e 546 të luftës, që nga nisja e saj në shkurt 2022, mbrojtja ajrore e Moskës njofton se i është kundërpërgjigjur një sulmi ukrainas me tre dronë drejt qendrës së kryeqytetit rus.

Dy nga dronët u qëlluan me zjarr nga toka, ndërsa një i tretë, i pikasur nga sistemet e bllokimit elektronik, u përplas me një ndërtesë në ndërtim në lagjen ekonomike të Moskës, 5 km nga Kremlini.

Të gjitha aeroportet e qytetit u mbyllën për disa orë. Autoritetet ruse njoftojnë se tre civilë kanë vdekur në një sulm ukrainas me dron në rajonin Belgorod të Rusisë, tha guvernatori.

Nga ana tjetër, forcat ruse kanë nisur një sulm me dron që synon infrastrukturën civile në rajonin e Odessa, duke përfshirë hambarët me drithëra dhe grurë.

“Mbrojtja ajrore shkatërroi nëntë dronë të prodhuar nga Irani. Fatkeqësisht, objektet e prodhimit dhe eksportit janë dëmtuar dhe ka shpërthyer zjarr në një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë”, shkroi Kiper, duke shtuar se nuk ka viktima.

“Në orën gjashtë të mëngjesit zjarri është vënë nën kontroll. Ndër objektivat e dëmtuara janë edhe objektet ku ruheshin drithërat”, tha ai.

Më herët Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës raportoi për një sulm të ri me dronë rus në Ukrainë, por nuk dha më shumë detaje. Por, ushtria ukrainase raportoi se gjatë natës i kishte rrëzuar 11 nga 20 dronët e lëshuar nga Rusia.

Në Herson, një person u vra dhe pesë të tjerë u lënduan nga sulmet ruse gjatë 24 orëve të fundit, tha kreu i administratës rajonale ushtarake, Oleksandr Prokudin, në Telegram. Ai shtoi se në mesin e objekteve të sulmuara nga Rusia ishte edhe një kopsht për fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë