Bota

Luftanijet ruse mbërrijnë në ujërat e Kubës për një stërvitje ushtarake

Gazeta Si - Një flotë luftanijesh ruse mbërriti në ujërat e Kubës të mërkurën përpara stërvitjeve të planifikuara ushtarake në Karaibe, një veprim që analistët e shohin si një shfaqje force ndërsa vazhdojnë të rriten tensionet mes Moskës dhe perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.

Tre luftanije u futën në Gjirin e Havanës nën shoqërinë e disa anijeve të vogla, që i orientonin ato nëpër kanalin e ngushtë të gjirit.

Pas tyre pritet të mbërrijë një nëndetëse, që funksionon me energji bërthamore. Ushtria amerikane pret që stërvitjet të përfshijnë një numër të vogël luftanijesh ruse, të cilat mund të bëjnë një ndalesë edhe në Venezuelë.

Rusia është një aleate e kahershme e Venezuelës dhe Kubës, dhe luftanijet dhe avionët e saj herë pas here kanë vizituar rajonin e Karaibeve. Por ky mision vjen më pak se dy javë pasi Presidenti Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë armët amerikane për të goditur objektiva brenda Rusisë në përpjekjet për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Pas këtij vendimi, presidenti Vladimir Putin sugjeroi se ushtria e tij mund të përgjigjej "në mënyrë asimetrike" në një zonë tjetër të botës.

"Mbi të gjitha, luftanijet janë një kujtesë për Uashingtonin se është e bezdisshme kur një kundërshtar ndërhyn afër vendit tuaj", tha Benjamin Gedan, ekspert i Amerikës Latine në Qendrën Wilson në Uashington, duke iu referuar përfshirjes së Perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë. “Kjo gjithashtu u kujton miqve të Rusisë në rajon, përfshirë kundërshtarët e Amerikës, si Kuba dhe Venezuela, se Moska është në anën e tyre”.

Megjithëse flota përfshin një nëndetëse me energji bërthamore, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se shërbimet amerikane të zbulimit kanë përcaktuar se anijet nuk janë të pajisura me armë bërthamore. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se dislokimet ushtarake të Rusisë "nuk paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara".

Zyrtarët amerikanë javën e kaluar thanë se luftanijet ruse pritej të qëndronin në rajon gjatë gjithë verës.

Luftanijet ruse janë ankoruar herë pas here në Havanë që nga viti 2008, kur një grup luftanijesh ruse hynë në ujërat e Kubës, një veprim që në atë kohë media shtetërore tha se ishte vizita e parë ruse e këtij lloji në pothuajse dy dekada. Në vitin 2015, një anije zbulimi dhe komunikimi mbërriti pa paralajmërim në Havanë, një ditë përpara fillimit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kubanë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se vizitat ruse në portin e Kubës janë "vizita detare rutinë", ndërsa pranoi se stërvitjet e saj ushtarake "janë rritur për shkak të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe aktivitetit stërvitor në mbështetje të aleatëve tanë të NATO-s".

Doktrina ushtarake ruse i vlerëson Amerikën Latine dhe Karaibet si rajone të rëndësishme duke i parë ato sfera nën ndikimin e Uashingtonit, që veprojnë si kundërpeshë ndaj aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara në Evropë, tha Ryan Berg, ekspert i Amerikës Qendrore dhe Jugore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington./VOA/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë