Lojëra me Dore

Lufta USA-URSS dhe hilja e Mynih ’72. Tre sekonda ndryshuan basketbollin

Mes ndeshjeve të vendosura në sekondën e fundit, më e famshmja në historinë e basketbollit dhe gjithë olimpizmit është ajo e medaljes së artë të Olimpiadës së Mynihut 1972. Edhe sot të gjithë i kujtojnë përmendësh 3 sekondat e fundit, të përsëritura tri herë në atë ndeshje, ku ish-Bashkimi Sovjetik i asaj kohe mundi Amerikën 51-50. Rusët u hoqën kështu amerikanëve pathyeshmërinë absolute që zgjaste që nga Olimpiada e Berlinit 1936, pas 7 titujsh olimpikë dhe 63 fitoresh radhazi, me suksese të arritura pikërisht ndaj ish-Bashkimit Sovjetik.

Ajo ndeshje shënoi një kthesë dhe u konsiderua një nga momentet më domethënëse të luftës së ftohtë mes dy fuqive të mëdha botërore. Mbrëmjen e 9 shtatorit të 48 viteve më parë, në “Rudi Sedlmayer Halle” nuk u luajt vetëm basketboll, në ato 40 minuta me nerva të tendosura u “fut” në fushë edhe politika e FIBA-s (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit), që kishte interesin ta shkëpuste këtë sport nga dominimi amerikan për ta zhvilluar në gjithë planetin.

Moment nga ndeshja. Belov (djathtas) në aksion. Gazeta Si, 26 korrik 2020

Dhe për ta bërë këtë ndodhi diçka anormale, ndërhyrja e në fushë e sekretarit të përgjithshëm për të urdhëruar përsëritjen e rivënies së fundit në favor të URSS-së (ish-Bashkimi Sovjetik), kur Amerika po festonte triumfonin. Ai person ishte Uilliam Xhons, një anglez i lindur në Romë dhe i edukuar në Springfilld (ku në fund të viteve ’800 Xhejms Naismith kishte shpikur lojën e koshit). Në vitin 1932, me ortakë të tjerë ai themeloi FIBA-n, ku qëndroi deri në 1976-ën. Xhons ëndërronte ta përhapte basketbollin në gjithë botën, por amerikanët e kishin konsideruar si sportin e një kombi.

Uilliam Xhons, sekretari i përgjithshëm i FIBA-s në atë kohë. Gazeta Si, 26 korrik 2020

Ajo Olimpiadë ofronte shansin e ndryshimit të hierarkive, ose të paktën shumë opinione për zhvillimin e basketbollit. URSS, kampion Europe në fuqi, i udhëhequr nga lojtari më i mirë i kontinentit, Aleksandër Belov, në atë kohë në formën më të mirë, ishte një skuadër e fortë, me shumë centimetra dhe kilogramë. Amerika në krahun tjetër ishte skuadra klasike me lojtarë kolegjesh, përveç Doug Kollins, i cili më pas u bë një yll i NBA-së dhe trajneri i djaloshit Majkëll Xhordan te Çikago. Ekipi ishte seleksionuar nga plakushi Hank Iba, një guru i trajningut që ishte në perëndim e sipër (ishte 68 vjet). Përbërja amerikane kishte lojtarë si Duajt Xhons, Tom MekMilen, Xhim Briuer dhe Majk Bantom, të gjithë nën 22 vjeç.

Hank Iba, trajenri i USA-ve, kundërshton vendimin. Gazeta Si, 26 korrik 2020

Finalja e arbitruar nga braziliani Rigeto dhe bullgari Arabadjan shkoi në ritmin e preferuar nga URSS që e mbante topin në limitin e 30 sekondave, duke pritur që Aleksandër Belov ta çonte në kosh. URSS gjithashtu dinte të mbrohej mirë dhe në fakt ia doli të nxirrte jashtë loje Duajt Xhons (i ndëshkuar pas një provokimi të një kundërshtari) e më pas Briuer për dëmtim. Finalja mori kështu rrugën e Moskës, me Belov të vetmin lojtar që kapi shifrën e 20 pikëve.

Por në pjesën e dytë, me 10 pikë në disavantazh, Amerika reagoi mirë. Mbajtja e topit ishte vendimtare. Me një pikë avantazh, URSS humbi topin që iu mor nga Kolins, i cili u ndal me faull në kundërsulm. Dy gjuajtje të lira dhe parakalimi 49-50 i Amerikës. Mbetën dhe 3 sekonda, pushim i detyruar për sovjetikët, që kishin rivënë topin në fushë dhe aksioni ishte anuluar. Në rastin e dytë kronometri ishte shumë i shpejtë, sirena dhe fitore e Amerikës, por këtu hyri në fushë “Mister Xhons”: ato 3 sekonda do riluheshin.

https://youtu.be/aJlPq0f7sXI?t=5
Finalja e basketbollit USA-URSS në Olimpiadën e Mynihut 1972. Gazeta Si, 26 korrik 2020

Nuk ishte shkruar në asnjë rregullore, e vendosi Xhons dhe kaq. Rivënia e tretë, luan topin Edeshko, pasim i gjatë për Aleksandër Belov, i cili lirohet nga kundërshtari më i vogël, Xhojs, dhe shënon 2 pikët që ndryshuan basketbollin. Triumfon URSS, ndërsa Amerika bën reklamim të paktën për përsëritjen e ndeshjes, po që u hodh poshtë. Titulli i parë për “Armatën e kuqe” (klubi që kishte thuajse gjithë lojtarët e kombëtares), humbja e parë për amerikanët, të cilët bojkotuan podin, duke refuzuar medaljet e argjendit.

Dikush shkroi në atë kohë se politika e Mister Xhons në atë ndeshje ishte pika më e akullt e luftës së ftohtë. Vite më pas u bë një film, u shkruan libra. Amerika e ka refuzuar gjithmonë atë humbje, por në librin e e artë të medaljeve në selinë e “Mynih 1972” është emri i ish-Bashkimit Sovjetik.

Burimi: Gazzetta dello Sport. Përgatiti: Gazeta “Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë