Donald Trump kërkon të arrijë një marrëveshje mbi tregtinë me presidentin kinez Xi Jinping, të cilin do ta takojë në kuadër të samitit G20 në Argjentinë në fund të nëntorit.
Për këtë, i ka kërkuar administratës së tij të mendojë për një marrëveshje të mundshme. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia “Bloomberg”, e cila citon burime pranë Shtëpisë së Bardhë. Gjithçka është përcaktuar pas një telefonate të orëve të fundit mes Trump dhe Xi Jinping.
“Kam pasur një telefonatë të gjatë dhe shumë të mirë me presidentin Xi Jinping të Kinës dhe kemi biseduar për shumë çështje, para së gjithash për tregtinë”, tha Trump.
Xi, nga ana tjetër, tha se ishte “shumë i lumtur” me bisedimet me Trump dhe se “i jep rëndësi të madhe marrëdhënieve të mira me presidentin”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve kineze, “Xinhua”. Kreu i shtetit kinez tha se do të donte të takohej me Trump në samitin e G20-ës.
“Ekipet ekonomike të të dy vendeve, – tha presidenti kinez, – duhet të forcojnë kontaktet, të bëjnë konsultime mbi çështjet me interes të përbashkët dhe të shtyjnë për një zgjidhje reciprokisht të pranueshme për çështjet ekonomike dhe tregtare të Kinës dhe SHBA-së”.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë tensionuar marrëdhëniet kohët e fundit për shkak të tarifave të vëna nga autoritetet amerikane në produktet kineze.
Kina po ashtu iu është kundërvënë hapave amerikanë, pasi presidenti Trump ka arsyetuar vendimin e tij për ndëshkim të Kinës duke përmendur ato që i ka cilësuar “praktika të padrejta tregtare” të këtij shteti kundrejt SHBA-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.