Treg

Përtej naftës: fatura e vërtetë e luftës është shumë më e lartë

Nga Gazeta ‘Si’- Mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit nga Irani ka bllokuar rreth 20% të naftës botërore por ndikimi nuk ndalet vetëm te karburantet.

Nafta dhe benzina kanë dominuar titujt e lajmeve javët e fundit, dhe me të drejtë: rritja e çmimeve të karburanteve ka sjellë një goditje të drejtpërdrejtë për qytetarët. Por ndikimi shkon shumë më tej.

Çdo produkt që blihet në dyqan transportohet me kamionë, anije apo avionë – të gjitha të varura nga nafta dhe derivatet e saj. Kjo do të thotë se rritja e kostove të energjisë përkthehet në çmime më të larta pothuajse për gjithçka.

Megjithatë, bllokimi i ngushticës ka kufizuar edhe qarkullimin e mallrave të tjera jetike, duke krijuar një presion të dyfishtë inflacioni për konsumatorët dhe bizneset.

Ushqimet

Ndër të parat që pritet të shtrenjtohen janë produktet ushqimore, sidomos ato që prishen shpejt si bulmeti, frutat, perimet, peshku dhe mishi. Rritja mund të jetë graduale në fillim, por mund të përshpejtohet në javët dhe muajt në vijim.

Një faktor kyç është plehu kimik. Lindja e Mesme është një burim i madh i uresë – një përbërës bazë për plehrat bujqësore. Rreth 35% e uresë globale dhe mbi 20% e plehrave kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt te fermerët dhe prodhimi bujqësor, pikërisht në prag të sezonit të mbjelljeve.

Heliumi

Mbi një e katërta e heliumit në botë vjen nga Katari dhe kalon përmes kësaj rruge strategjike. Ky gaz është thelbësor për industrinë e teknologjisë, pasi përdoret për ftohjen e pajisjeve që prodhojnë mikroçipa.

Me kërkesën e lartë për inteligjencën artificiale, mungesa e heliumit mund të përkeqësojë krizën e çipave, duke rritur çmimet e telefonave dhe kompjuterëve. Heliumi është gjithashtu kritik në mjekësi, veçanërisht për funksionimin e aparaturave MRI, çka mund të sjellë rritje të kostove të shërbimeve shëndetësore.

Alumini

Çmimet e aluminit janë rritur ndjeshëm, duke arritur nivelet më të larta në katër vite. Rreth 20% e prodhimit global vjen nga Lindja e Mesme.

Ky material përdoret gjerësisht në ndërtim dhe industri, ndaj shtrenjtimi i tij mund të rrisë më tej kostot e ndërtimit të banesave dhe projekteve infrastrukturore.

Një punëtor vendos rripa alumini në tuba gjatë ndërtimit të një projekti për strehim të përballueshëm në Brooklyn Basin në Oakland, Kaliforni, më 12 nëntor 2019

Gazi natyror

Në SHBA çmimet janë stabilizuar disi, por në Evropë dhe Azi ato janë dyfishuar që nga nisja e konfliktit. Kjo rrit kërkesën globale dhe mund të mbajë çmimet e energjisë në nivele të larta për një periudhë më të gjatë.

Plastikat dhe kimikatet

Derivatet e naftës janë bazë për prodhimin e plastikës, rrëshirave dhe produkteve petrokimike. Shumë prej tyre prodhohen dhe eksportohen nga Lindja e Mesme.

Për shembull, një pjesë e madhe e naftës kimike (naphtha), e përdorur në bojëra dhe produkte pastrimi, kalon përmes kësaj ngushtice. Me kufizimet aktuale, rajone të tjera po rrisin prodhimin, por edhe çmimet.

Farmaceutikët

India është një nga prodhuesit më të mëdhenj të barnave gjenerike në botë, por lufta dhe tensionet kanë prishur disa nga rrugët ajrore të transportit, sidomos drejt Europës.

Kjo është problematike për barnat që kërkojnë transport të shpejtë, duke rritur rrezikun për vonesa dhe çmime më të larta për pacientët./ Burimi CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë