Futboll

Lufta për delegatët e Asamblesë, dështon mbledhja e Shoqatës Rajonale të Gjirokastrës

Ditët e fundit kanë zhvilluar mbledhjet e tyre Shoqatat Rajonale të Futbollit në vendin tonë, të cilët përcaktojnë edhe delegatët e Asamblesë Zgjedhore të 2 marsit për presidentin e FSHF-së. Në këto mbledhje ka pasur akuza në dy krahë: nga drejtuesit e shoqatave dhe FSHF-ja për ndërhyrje politike, si dhe kandidatë të ndryshëm për kreun e këtyre shoqatave për manipulim zgjedhjesh.

Sot ka dështuar të zhvillohet mbledhja e Shoqatës Rajonale të futbollit në Gjirokastër, sipas FSHF-së, për ndërhyrje politike. Kryetari i shoqatës, Sadik Sadikaj, dhe anëtari i KE-së së FSHF-së, Arben Dervishaj, gjetën mbyllur derën e stadiumit, ku do të zhvilloheshin punimet, ndërkohë që munguan 5 delegatë nga 9 që duhej të ishin.

Arben Dervishaj, anetari i KE-se ne FSHF. Gazeta Si, 29 janar 2022

Arben Dervishaj, drejtues i FSHF-së, u shpreh: “Jemi këtu për të zhvilluar Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër. Lajmërimet janë bërë më përpara, ishim dakordësuar me Bashkinë Gjirokastër që mbledhja të bëhej në ambientet e stadiumit. Një pjesë e delegatëve, si rezultat i presioneve të mëdha politike, nuk kanë ardhur, ndërkohë ambientet për zhvillimin e Asamblesë nuk na janë vënë në dispozicion. Do të veprojmë ashtu siç e parashikon statuti, brenda 24 orëve do të organizohet një asamble tjetër”.

Problematika me asambletë e Shoqatave Rajonale të futbollit ka pasur në Durrës, në Tiranë, ku kandidati Eduard Prodani u tërhoq dhe akuzoi për manipulim të hapur, por edhe në Fier e tashmë në Gjirokastër. Akuzat janë se në shoqata zgjidhen njerëzit afër Dukës, ndërkohë që FSHF ka ngritur zërin për presione të forta politike, siç ndodhi edhe me kryebashkiakun e Tiuranës, Erion Veliaj.

Nga sa kuptohet, delegatët që përcaktojnë Shoqatat Rajonale paskan ndikim shumë të rëndësishëm në zgjedhjet e 2 marsit, ndaj dhe lufta është kaq e ashpër qa tani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë