Irena Beqiraj

Lufta pa edukim kundër korrupsionit


Në kapitullin e katërt të librit “Predictably Irrational”, Dan Ariely diskuton ndryshimin midis normave shoqërore dhe atyre të tregut.

“Normat shoqërore ashtu si dhe ato të tregut udhëheqin vendimmarrjet e njerëzve, por ato nuk janë domosdoshmërisht të pajtueshme. Madje, shpesh normat e tregut i largojnë njerëzit nga zbatimi i normave shoqërore”.

A mund të vish këtu të më ndihmosh? Nëse e bën, do të të blej një akullore! Këto janë dy fjali që besoj çdo prind i ka përdorur me fëmijën e tij për ta motivuar. Në momentin që përcaktohet “një shpërblim” për fëmijën, i cili do të jetë nesër mësuesi, mjeku, ministri i ardhshëm, norma shoqërore “vdes”, duke ia lënë vendin normës së tregut për të udhëhequr vendimmarrjen tonë.

Normat shoqërore i imponojnë çdo djali/vajze që të ndalojë çfarëdo që është duke bërë kur nëna e tij/e saj ka nevojë për ndihmë, sikurse normat shoqërore kërkojnë që djemtë dhe vajzat e rritura t’i kryejnë detyrat publike pa shkelur ligjin dhe pa pretenduar shpërblime shtesë. 

Sa herë që ofrohet një çmim për veprime të caktuara, njerëzit mund të braktisin normat shoqërore, edhe marrin vendime duke përdorur normat e tregut. Pasi përmendet shpërblimi, fëmija nuk mendon më ta ndihmojë nënën për hir të saj, por mekanizmi që përcakton vendimmarrjen është pyetja: A i tejkalojnë përfitimet kostot? A ja vlen të lë lojën me qenin tim dhe të ndihmoj nënën për të përfituar një akullore?

Nga ndikimi i normave të tregut, nuk të shpëton gjinia, pasi veprojnë njësoj si te burrat ashtu edhe te gratë. Është vetëm një klishe urbane fraza “që gratë janë më pak të korruptuara se burrat”. Të korruptohesh do të thotë të lejosh të tjerët t’i vendosin një çmim veprimeve të tua. Të korruptosh do të thotë të pikasësh njërit që janë gati të kenë një çmim edhe ti përdorësh. Përcaktuesit që bëjnë diferencën janë gatishmëria, vullneti, apo nevoja  për të pranuar një çmim për veprimet dhe mosveprimet e tua.

Parë në këtë këndvështrim ulja e korrupsionit nuk është gjë tjetër veçse minimizimi i gatishmërisë, vullnetit apo nevojës së anëtarëve të një shoqërie  për të pranuar përfitime personale në kurriz të së mirës së përbashkët. Në këtë kontekst, termi “luftë” është i papërshtatshëm kur bëhet fjalë për normat që do të motivonin sjelljen njerëzore, aq më shumë në një sistem ekonomik ku suksesi i individit është motori i zhvillimit, edhe qëllimet e përbashkëta shoqërore rrinë përgjithësisht në hije. Thënë këtë, më shumë se luftë minimizimi i korrupsionit kërkon edukim.

Përdorimi i gabuar i definicionit “luftë” ka çuar edhe në përdorimin e mjeteve të gabuara për arritjen e qëllimit. Prirja dhe rutina e zakonshme për t’i zgjidhur problemet me ligj, apo me ashpërsimin e tij nuk funksionon, pasi ligji nuk mund të imponojë moralin dhe karakteristikat e një shoqërie. Për shembull, vetëm tri ditë më parë, në një raport të “Sunday Times” u tha se janë gjetur gjurmë kokaine në 12 ambiente të parlamentit anglez dhe se kanabisi “përdoret hapur” në afërsi të Parlamentit. Ironikisht, ky fakt zbulohet pasi Johnson njoftoi një plan të ri 10-vjeçar për të ashpërsuar masat për përdoruesit e drogës. Në 2014 në Shqipëri u ashpërsuan dënimet për pirjen e duhanit në ambientet publike, por te kafja e Parlamentit pluskonte pushtetshëm një shtëllungë e madhe tymi.

Po ashtu, mekanizmi i përdorur për përshpejtimin e zhvillimit dhe luftën kundër korrupsionit ka qenë ndihma e huaj. Por ka qenë pikërisht struktura e kësaj ndihme, e cila ka korruptuar “luftën” kundër korrupsionit dhe ka minuar zhvillimin në shumë vende që kanë qenë përfitues të saj. Në Afrikë sipas Dambisa Mayo ndihma e huaj ka dhënë efekt të kundërt nga ajo që pritej. Po ashtu rasti i fundit më kuptimplotë vjen nga Afganistani.

Një histori interesante e shkruar në vitin 2008 nga Clare Lockhart përshkruan problemin thelbësor të strukturës së ndihmave të huaja në Afganistan.

“Ishte vera e vitit 2002, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-të po nxitonin të siguronin projekte të ‘ndikimit të shpejtë’ për të ndihmuar qytetarët afganë pas luftës. U caktuan 150 milionë dollarë për rindërtimin e një pjese të largët të Provincës Bamiyan, në malësitë qendrore të Afganistanit. Ato 150 milionë dollarë mund të kishin transformuar jetën e banorëve të fshatrave si ky. Por historia tregoi se paratë u morën nga një agjenci në Gjenevë, e cila mori 20% dhe e nënkontraktoi punën në një agjenci tjetër në Uashington DC, e cila gjithashtu mori 20%. Nënkontraktori i fundit ishte në Kabul, i cili do të përfitonte dhe ai 20%. Edhe pse kishin mbetur shumë pak para, ato mjaftuan për të blerë dru në Iranin perëndimor dhe për ta transportuar nga një kartel transporti (në pronësi të një guvernatori krahinor) me pesëfishin e kostos së transportit të rregullt. Përfundimisht, disa trarë druri arritën në fshatrat e thellë. Por trarët ishin shumë të mëdhenj dhe të rëndë për muret e baltës që përdoreshin në këto shtëpi. Kështu që gjithçka që mund të bënin fshatarët, ishte t’i copëtonin dhe t’i përdornin për dru zjarri”.

Historia e Lackhart-it tregon që edhe ndihma e huaj si çdo vendimmarrje tjetër njerëzore, është e udhëhequr nga përfitimi i ofruesit apo implementuesit në çdo hallkë të saj.

Koha ka treguar që lufta dhe mjetet e përdorura kundër korrupsionit janë në mënyrë të parashikueshme irracionale, duke e shndërruar këtë të fundit në një “luftë” imagjinare që bëhet samiteve, përshkruhet në dokumente që flenë sirtarëve, apo ligje të forta që nuk zbatohen as në sallat ku u miratuan. Nuk mund ta zhdukim korrupsionin, por mund të tentojmë ta minimizojmë në perspektivë afatgjatë. Edhe për këtë na duhet vullnet shoqëror për të forcuar parimet etike që mbështesin shoqërinë edhe të mirën publike, duke i bërë këto të fundit udhëheqësit kryesorë të sjelljes njerëzore. Kam frikë se unë që e përdora “akulloren” si mjet për të motivuar fëmijën tim, do të vdes në një shoqëri që udhëhiqet vetëm nga përfitimi.

Nëse fëmija im nuk e ndryshon qasjen, edhe ai do ta lërë këtë botë po kaq apo ndoshta edhe më të korruptuar.


Copyright © Gazeta “Si”