Nga Jack Butler – Në romanin Fundi i Fëmijërisë (Childhood’s End) të Arthur C. Clarke, botuar në vitin 1953, alienë dashamirës mbërrijnë në Tokë, ndajnë teknologjinë e tyre me njerëzimin dhe e udhëheqin atë drejt një epoke të artë. Por, siç ndodh shpesh në fantashkencë, qëllimi i tyre i vërtetë i fshehur është ta drejtojnë racën njerëzore drejt bashkimit me “Mbimendjen” (Overmind) një vetëdije kolektive që përfshin gjithë universin. Ky është hapi i ardhshëm në evolucionin tonë dhe, në të njëjtën kohë, fundi i fëmijërisë sonë si specie.
Ky transformim nis me fëmijët që lindin në epokën e re të përuruar nga alienët. Ata shfaqin fuqi psikike të pakuptueshme për prindërit e tyre. Në fakt, këto janë shenja të hershme të Mbimendjes, të cilës ata shërbejnë si enë. Kështu, ata lënë pas prindërit, njerëzimin dhe në fund vetë planetin.
Sigurisht, asgjë e ngjashme nuk po ndodh me fëmijët që rriten sot, të paktën sa dimë ne. Por ndryshimet e jetës amerikane që nga koha e fëmijërisë sime më bëjnë të mendoj se fëmijëria, ashtu siç e kemi njohur dhe përjetuar për dekada, madje edhe për shekuj, po zhduket. Dhe pasojat mund të jenë të rënda jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë ne.
Kam qenë me fat që e përjetova një fëmijëri që, përveç disa detajeve të sipërfaqshme, nuk ndryshonte shumë nga ajo e brezave të mëparshëm, madje as nga ajo e prindërve të mi. Verërat kishin njëfarë strukture, sporte, detyra shtëpie, pushime familjare por koha në mes ishte kryesisht në dorën time. Shumicën e saj e kaloja në aventura të lagjes: me biçikleta apo në ndjekje të një qëllimi që vetëm ne e kuptonim; hapnim shtigje në pyll dhe ndërtonim fortesa. Në mbrëmje luanim “kap flamurin” apo pjeknim marshmallow mbi zjarr. Edhe muajt e vitit jashtë verës nuk ishin më pak të gjallë: sa më shumë kohë të lirë kishim, aq më shumë lojë të papërcaktuar jashtë përjetonim.
Ky stil jete ekziston ende në disa pjesë të Amerikës moderne, por është gjithnjë e më i rrallë. Në vitet ’90, kur isha fëmijë, rreth 20 milionë fëmijë të moshës 7 deri në 17 vjeç ngisnin biçikletën të paktën gjashtë herë në vit. Sot, ky numër është përgjysmuar. Fëmijët që luajnë jashtë shpesh shkaktojnë shqetësim, dyshim apo edhe ndërhyrje ligjore. Janë shumë të zhurmshëm. Dhe për më tepër: ku janë prindërit e tyre? Presioni social i ka shtyrë fëmijët gjithnjë e më herët drejt një karriere meritokratike, ku gjithçka e konsideruar “e kotë” si loja jashtë shihet me përçmim. Sepse, në fund të fundit, çfarë vlere ka kjo për një CV?

Jeta përpara ekranit dhe telefonit po i largon fëmijët jo vetëm nga natyra dhe nga loja, por edhe nga njëri-tjetri. Teknologjia ishte duke hyrë gradualisht edhe në fëmijërinë time (shpesh kalonim nga loja jashtë te sesionet me PlayStation 2, zakonisht me shokë), por isha me fat që kur doli iPhone-i, unë isha gati për gjimnaz.
Është e lehtë të biesh në nostalgji për fëmijërinë tënde. Dhe gjithashtu është e lehtë të harrosh se ndryshimi është i pandalshëm dhe jo gjithmonë për keq. Paraardhësit e mi do të habiteshin që fëmijëria ime kishte kaq pak punë ferme.
Por disa nga prirjet e sotme janë vërtet shqetësuese. Po rriten breza të rinj që nuk dinë të mendojnë apo të veprojnë në mënyrë të pavarur. Që kanë nevojë për udhëzim dhe stimul të vazhdueshëm nga jashtë. Që njohin vetëm një botë ku çdo përgjigje mund të gjendet menjëherë përmes një ekrani. Që i shmangen përplasjes së papritur, përvojës së drejtpërdrejtë, realitetit të vërtetë. Që besojnë se marrëdhëniet e bazuara vetëm në aplikacione mund të zëvendësojnë lidhjet e jetës reale. Dëshmitë po shtohen se këta të rinj janë gjithnjë e më të paaftë për detyra bazike, si drejtimi i makinës (që shumë prej tyre as nuk e dëshirojnë) apo edhe leximi. E gjithë kjo po shpie në sëmundje të mosveprimit atë që Yuval Levin e quajti “patologjitë e pasivitetit.”
Prandaj, kjo luftë moderne kundër fëmijërisë duhet të na frymëzojë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur apo rikthyer thelbin e saj. Të lejojmë madje, kur duhet, të detyrojmë fëmijët të luajnë jashtë. Të kufizojmë kohën që kalojnë para pajisjeve. Dhe, më e rëndësishmja, të mos i dorëzohemi vetë versioneve për të rritur të po këtyre sjelljeve që po dëmtojnë fëmijët tanë. Nuk duhet të lejojmë që ekranet të na shkëpusin nga bota reale, apo që marrëdhëniet dixhitale të zëvendësojnë ato të vërtetat në vend që thjesht t’i plotësojnë.

Në Fundi i Fëmijërisë, zhdukja e racës njerëzore ndodh me një ndjenjë të trishtë por të pashmangshme, që ndonëse sjell humbje, shihet si përmbushja e fatit të saj. Por ne nuk jemi të destinuar të largohemi nga realiteti dhe nga njëri-tjetri. Megjithatë, gjithnjë e më shumë fëmijë po bëjnë pikërisht këtë. Nëse nuk përballemi me forcat që po i japin fund fëmijërisë, pasojat nuk do i ndjejmë vetëm tek fëmijët. Sepse, edhe pse ndoshta nuk e besojmë, ata fëmijë dikur do të bëhen të rritur.
Burimi: National Review
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



