Nga Gazeta ‘SI’ – Në një “luftë” me kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë raporton se gjatë vitit 2024 ka tërhequr nga tregu i parasë 932.8 milion euro.
BSH raporton se vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2024 ka blerë 390.3 mln euro, në funksion të rezervës valutore si dhe në kuadër të normalizimit të kursit të euros.
Raportohet se në fund të vitit të shkuar, Banka ka ulur nivelin e injektimit mesatar ditor të lekëve në treg, në 50.2 mld lekë nga 59 mld që ishte tremujorin paraardhës. Kjo ka ndodhur pasi në nëntor, qeveria ka kryer shpenzime rreth 10 mld lekë duke rritur ofertën e parasë në qarkullim.
Gjatë kësaj periudhe, kursi i euros qëndroi rreth vlerës së 98 lekëve.
Blerja e eurove dhe injektimi i lekëve janë të vetmet mekanizma që Banka e Shqipërisë mund të përdorë për stabilizimin e kursit, duke mos cënuar lirinë e tregut. Ndërhyrje të tjera të BSH-së në kursin valutor “do të hidhnin në erë ekonominë”, është shprehur më herët Guvernatori Gent Sejko.
Duke pranuar se kursi është diktuar edhe nga paraja informale, Sejko i bëri thirrje qeverisë nga foltorja e Kuvendit se “Banka e Shqipërisë do ta ketë të pamundur të mbajë një stabilitet në kurs”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.