Biznes

Lufta me Iranin, a do ‘emigrojnë’ turistë drejt Shqipërisë?

Nga Gazeta ‘SI’ – Lufta në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimi i konfliktit në Iran po godasin industrinë globale të turizmit, me kostot e rritura dhe mbylljen e kufijve. 

Megjithatë, kjo situatë po krijon edhe një mundësi të re; një pjesë e turistëve që kishin planifikuar pushime në Lindjen e Mesme pritet të zhvendosen drejt Europës, duke hapur potencialisht një dritare për destinacione si Shqipëria.

Për ekspertin e turizmit Rigers Beqiri, ka një shpresë që një pjesë e këtyre udhëtarëve të ndalojnë në Shqipëri

“Situata krijon një mundësi reale për Shqipërinë. Turistët, veçanërisht nga Europa, që kishin planifikuar pushime në Lindjen e Mesme, tashmë janë në kërkim të destinacioneve alternative. Shqipëria ka një avantazh konkurrues në këtë drejtim, pasi ofron një kombinim shumë tërheqës të plazhit, natyrës, gastronomisë dhe turizmit të aventurës. Për më tepër, për shumë turistë europianë, Shqipëria mbetet një destinacion ‘i ri’, i dëgjuar por ende i paeksploruar plotësisht. Ky pozicion e vendos Shqipërinë si një nga destinacionet me potencial të lartë për të përthithur këtë segment turistësh”, thotë Beqiri për Gazetasi.al.

Megjithatë, jo të gjithë në industri ndajnë të njëjtin optimizëm. Kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, paralajmëron se Shqipëria mund të mos përfitojë shumë nga kjo zhvendosje turistike.

“Parashikohet që një pjesë e fluksit të turistëve që shkonin në Lindje, të kalojë në Europë, p.sh Spanja po raporton një rritje të jashtëzakonshme. Por Shqipëria nuk do të jetë destinacion i tyre. Turistët që shmangin Lindjen janë me shpenzime të larta dhe kërkojnë cilësi. Shqipëria nuk ka kapacitetet dhe standardet; vetëm 1% e hoteleve janë me 5 yje, ndaj këta turistë nuk do të vijnë. Ne nuk kemi as kapacitete dhe as standarde”, shprehet ai për ‘SI’.

Ai shton se Shqipëria dështon edhe në tërheqjen e turistëve elitarë vendas, të cilët zgjedhin të pushojnë jashtë vendit.

Aeroporti “Nënë Tereza”, Tiranë

Për vitin 2025, rreth 45 mijë vizitorë nga Lindja e Mesme vizituan Shqipërinë, duke shënuar një rritje prej 50% krahasuar me vitin 2024. Sipas ekspertit Beqiri, ky trend është ndërprerë nga zhvillimet e fundit.

“Konflikti në Lindjen e Mesme ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në turizmin shqiptar, pasi ky rajon ka qenë një treg në rritje vitet e fundit. Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, por sidomos Izraeli, kanë treguar interes të shtuar për Shqipërinë. Ndërprerjet e flukseve ajrore dhe kufizimet në aeroporte si Dubai po ndikojnë zinxhirin e udhëtimeve, ndërsa pasiguria në rajon po ndikon perceptimin e turistëve”, shpjegon eksperti Beqiri për Gazetasi.al.

Sipas tij efektet kanë nisur të ndihen menjëherë.

“Të gjitha grupet nga Izraeli janë anuluar dhe kontratat me tregjet e përfshira në konflikt janë pezulluar. Këto anulime, duke qenë të lidhura me situata të forcës madhore, në pjesën më të madhe nuk janë të rimbursueshme, çka krijon një boshllëk financiar për operatorët turistikë shqiptarë”, thotë Beqiri.

Topuzi thotë se lufta në Lindjen e Mesme do t’i kushtojë turizmit botëror humbje 20 mld euroshe dhe nëse ajo mbyllet brenda 4 javëve, efektet do të ndihen të paktën për dy vite.

“Në panairin ITB Berlin, stendat e produkteve të kësaj linje kishin rënie, gjë që tregon se ndikimi do të jetë i madh. Kjo nuk do të shtrihet vetëm në Lindje, por do të kapë edhe Turqinë. Izraeli gjithashtu ka pësuar goditje të madhe; më parë kishte shumë turistë rusë, të cilët duke qenë të bllokuar në Europë, zgjidhnin Izraelin dhe Turqinë.”

Turistë nga Lindja e Mesme, Tiranë

Për Topuzin, humbja e tregut të Lindjes për Shqipërinë nuk është domethënëse pasi janë europianët ata që e “amortizojnë” mungesën e tyre.

Topuzi jep dhe një “manual” se si Shqipëria mund ta bëjë ekonominë e turizmit më të qëndrueshme dhe eficiente me anë të modelit “mix-use”.

“Ky model, që e parashikon dhe qeveria, e lë klientin të lirë të zgjedhë dhe funksionon 12-muaj të vitit, si p.sh projekti i Marinës së Durrësit. Turizmi nuk bëhet më si në Turqi, brenda një resorti. Duhet të heqim dorë nga vilat në bregdet. Shqipëria ka mundësi për një sezon turistik që zgjat gjatë të gjithë vitit. Por për këtë na duhet infrastrukturë, e cila do kohë të realizohet”.

Një analizë nga firma konsulente “Oxford Economics” llogarit se lufta do t’i kushtojë turizmit botëror 116 milionë vizitorë dhe 858 milionë netë qëndrime.

Sipas raportit, rreth 28 milionë udhëtime nga Lindja e Mesme janë në rrezik për shkak të ndërprerjeve në fluturime dhe ndikimeve ekonomike. Europa preket më shumë, 60% e humbjeve, sidomos Turqia, Franca dhe Britania që tërheqin pjesën më të madhe të turistëve nga ky rajon.

Tur-operatorët shqiptarë janë të shqetësuar edhe për rritjen e çmimit të naftës, që do të rëndojë turistët dhe të penalizojë sektorin.

“Një faktor tjetër është rritja e çmimeve të karburantit. Nëse kjo rritje do të jetë afatgjatë, do të sjellë kosto më të larta transporti dhe rrjedhimisht pakësim të buxheteve të udhëtimit. Kjo mund të ndikojë në shkurtimin e kohëzgjatjes së pushimeve ose në shtyrjen e planeve për udhëtim për shkak të pasigurisë ekonomike dhe gjeopolitike”, shprehet Beqiri.

Një raport i mëhershëm nga Komisioni Europian, gjeti se çmimi i naftës dhe energjisë prek direkt sektorin turistik, për dy arsye të thjeshta: rritja e kostos së transportit dhe rritja e kostos së jetesës e pakëso buxhetin e familjeve për udhëtime dhe pushime.

Gjithsesi, KE thekson se masa zbutëse nga qeveritë mund ta amortizojnë këtë dëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë