Nga Gazeta ‘Si’- Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë ndaj përpjekjeve ndërkombëtare kundër terrorizmit.
Në raportin për terrorizmin në vitin 2022, ndonëse theksohet se korrupsioni, barrierat ndaj shpërndarjes së informacionit mes agjencive qeveritare dhe sistemi i dobët gjyqësor janë faktorë pengues, DASH evidenton se Shqipëria ka miratuar strategji kombëtare anti terrorizëm.
Në përpjekjet kundër terrorizmit, DASH përmend në raport riatdhetësimin e 13 shtetasve nga kampi i Al Hol në Siri.
“Vendi ka miratuar strategji kombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm duke rishikuar strategjinë e vet. Kërcënimi i terrorizmit në Shqipëri konsiston te përpjekjet e organizatave të huaja për të radikalizuar rininë shqiptarë”.
Raporti konstaton se gjatë vitit 2022 nuk janë shënuar incidente terroriste në Shqipëri, ndërsa përmenden akuzat e ngritura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj dy personave që nxisnin propagandë në favor të organizatës terroriste ISIS.
Në raport nënvizohet se Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt përmirësimit ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
DASH kritika ndaj Kosovës
Ndryshe nga Shqipëria, DASH ka rezervuar kritika ndaj Kosovës, kryesisht ndaj dënimeve të ulëta për akuzat lidhur me terrorizmin dhe lirimet e parakohshme për këto akuza.
DASH vuri në pah se Kosova ka legjislacion për të luftuar edhe financimin e terrorizimit, por tha se ka mungesë të një strategji për të adresuar kërcënimet e lidhura me terrorizmin.
“Megjithatë, dënimet e shkurtëra, lirimet e parakohshme dhe me kusht, si dhe joroganizimi i mbikëqyrjes pas lirimit paraqesin kërcënime për sigurinë”, u tha në raport.
Sa i përket incidenteve terroriste më 2022, DASH përmend edhe arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç, në dhjetor të vitit 2022, nën akuza për terrorizëm, pas sulmit që përfshiu mjete shpërthyese ndaj zyrave lokale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj stafit të këtij komisioni në Mitrovicë të Veriut.
Arrestimi i tij nxiti banorët lokalë të vendosnin barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar për disa javë rrugët që çonin drejt pikëkalimeve kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u hoqën pasi Pantiçit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.
Po ashtu, raporti përmend edhe dënimin që i bëri Qeveria e Kosovës sulmeve të armatosura ndaj policisë në veri të Kosovës, që i cilësoi si akt terrorist.
“Prokurorët kosovarë i klasifikuan këto incidente të lidhura me akuza terroriste dhe raste kundër rendit kushtetues”.
Raporti vlerëson se “çështjet e sigurisë dhe paqëndrueshmëria politike në veri të Kosovës vazhdon të kufizojë aftësinë e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj në atë rajon.
I njëjti raport thekson se Prishtina vazhdoi të riatdhesonte shtetasit e saj nga kampet dhe qendrat e ndalimit në Siri. Sipas SHBA-së, qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, “janë caqe potenciale për rekrutim nga organizatat të dhunshme ekstremiste, me orientim etno-nacionalist apo fetar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.