Drejtësia

Lufta kundër krimit/ SPAK kërkon mandat të pakufizuar për prokurorët: Nuk ndihemi të sigurt

Prokurorët e Strukturës Antikorrupsion kërkojnë zgjatje të mandatit të të tyre që të mos jetë i kufizuar. Përmes një kërkese, e cila mban firmat e 15 prokurorëve të SPAK, i dërguar, Kuvendit, Komisionit te Ligjeve KLP-së, EURALIUS, OPDAT dhe Ambasadës Amerikane, ata kërkojnë të kenë një mandat të pakufizuar.

Prokurorët kërkojnë mandat të pakufizuar, duke argumentuar se do jenë më të sigurt në punën e tyre për hetime ndaj botës së krimit dhe politikanëve të korruptuar dhe nuk do e kenë frikën e kërcënimit, pasi t’i përfundojë mandati.

Sipas tyre, kufizimi i mandatit është i gabuar, pasi eksperienca botërore ka treguar se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të zhduken dhe “krijimi i strukturave të specializuara si SPAK është një garanci për të pasur sukses në luftën kundër tyre.

Prokurorët sjellin si argument investimet që duhen bërë nga fillimi sa herë që mbaron mandati 9-vjeçar, si dhe faktin që, sipas tyre, në vitin e fundit, funksionarët fillojnë dhe mendojnë për të gjetur një zgjidhje të favorshme punësimi dhe kjo “shoqërohet me rënie të intensitetit dhe efektivitetit në punën që bëjnë.”

Sipas Kushtetutës, prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi. Në shkresën e dërguar Kuvendit, theksohet fakti që do të ishte e vështirë gjetja e 20 prokurorëve të tjerë me vjetërsi pune, duke qenë se numri i tyre në sistem po vinte në rënie.

Në korrik të këtij viti, ishte kreu i SPAK-ut Arben Kraja ai që kërkoi për herë të parë zgjatje të mandatit të prokurorëve të këtij organizmi pa të drejtën për t’u rizgjedhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë