Politike

Lufta kundër krimit dhe drogës, VonHorn: Do ndjekim prioritetet e Trumpit në Shqipëri

Gazeta Si – Nancy VanHorn deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të fokusuara në forcimin e mëtejshëm të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Në ceremoninë e mbylljes së trajnimit të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH në Tiranë, ajo tha se Amerika do të ndjekë me këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve.

Duke ritheksuar deklaratën e sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se grupet kriminale po shkaktojnë destabilizim dhe emigrim masiv në shtete të ndryshme, Van Horn theksoi se krimi i organizuar do të luftohet duke forcuar SPAK-un, BKH-në dhe Akademinë e Sigurisë së Shqipërisë.

Sipas saj, lufta kundër krimit është një prioritet absolut i SHBA-ve.

“Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë”, – u shpreh Van Horn.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë