Gazeta Si – Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i ka cilësuar si subjektive dhe të pazabatueshme rekomandimet e qeverisë në luftën kundër krimit për vitin 2025.
Deklaratave të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, i ulur në të njëjtën tryezë, Dumani iu përgjigj se ato janë të mirëpritura, por nga na tjetër paraqesin vështirësi për t’u zbatuar nga pikëpamja praktike si pasojë e mënyrës “si janë formuluar apo konceptuar”.
Rekomandimet prekin 8 fusha kryesore, që nga respektimi i të drejtave të njeriut e deri te bashkëpunimi efikas me ndërkombëtarët. “Rekomandimet janë hartuar mbi bazën e një analizë të thelluar të situatës kriminale në vend, të dhënave statistikore të raportuara nga vetë organi i Prokurorisë dhe veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE”, theksoi në krye të herës Manja.

“Që tani konstatoj vështirësi se si do raportoj për përmbushjen e këtyre rekomandimeve”, tha Dumani, i cili u shpreh se në raportimet vjetore institucioni që ai drejton jep një përshkrim edhe se si janë reflektuar përmbushjet e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave.
Dumani sqaroi se rekomandimet e qeverisë nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikojnë nevojën për ndërhyje.
“Kjo mungesë e bazës empirike dhe metodologjisë së qartë, i bën rekomandimet të duken subjektive dhe vështirë të matshme, sidomos për një institucion si SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike”, – shtoi ai.
Më tej, Dumani theksoi se rekomandimet përdorin terma të përgjithshme, si hetime proaktive, përdorim efektiv i të dhënave, forcimi i qasjes strategjike, por “nuk ofrojnë asnjë përkufizim institucional apo kuptim të qartë për to”.
“Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet zbatuese. Për një strukturë si SPAK, terminologjia e paqartë është një pengesë për implementim”, – shpjegoi Dumani.
Një tjetër rekomandim që citoi Altin Dumani ishte edhe ai për respektimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit.
“Një rekomandim tjetër që shikohet, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritetet në luftën kundër kriminalitetit, por është ajo që ju e thoni në rekomandimet tuaja, nevojë për respektimin e mekanizmave ekzistues të kontrollit. Rekomandohet forcimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit. SPAK është subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, ILD dhe vetë strukturat e tij. Krijimi i strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti pa analizë të mekanizmave ekzistuese rrezikon të sjellë mbingarkesë burokratike. Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshme, institucione përgjegjëse apo burime konkrete duke rrezikuar të mbeten deklarative dhe jo të zbatueshme”, tha Dumani.

Më herët Manja sugjeroi edhe përdorimin e AI në analizën e të dhënave në hetimin e krimeve komplekse.
“Metodat bashkëkohore të hetimit, sugjerohet përdorimi i AI dhe analizës së të dhënave që janë thelbësore në hetimin e krimeve komplekse. Bashkëpunimi ndërinstitucional, duhet një strategji mes SPAK, Policisë dhe institucioneve të tjera publie, marrëveshje për shkëmbim të të dhënave, përcaktim i pikave të kontaktit. Bashkëpunim me ndërkombëtarët, për ndjekien penale të krimit të organizuar ndërkombëtar”, deklaroi Manja.
Ndërsa Prokuroi i Përgjithshëm Olsian Çela kërkoi sigurimin e kushteve të punës për prokurorët.
“E dyta që doja ta ngrija zoti ministër është një çështje që ka të bëjë me infrastrukturën, sidomos me prokurorinë Tiranë dhe me gjykatën e këtij rrethi, është çështje urgjente. Shpresoj në vijimin e përpjekjeve për një zgjidhje, pasi cilësia në ndjekjen e hetimeve lidhet edhe me sigurimin e kushteve të punës”, tha Çela.
Ndërkohë rekomandimet për vitin 2025 të bëra nga Këshilli i Ministrave, të paraqitura sot nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, janë si më poshtë:
1. Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të punës së prokurorisë
Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm. Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit.
2. Forcimi i luftës kundër kriminalitetit
Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Krijimi i njësive të specializuara për krimin kibernetik është një nevojë strategjike.
3. Integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria
Prokuroria duhet të forcojë mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe llogaridhënien, përtej vetting-ut. Duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin, si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Eficienca dhe ngritja e kapaciteteve institucionale
Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar.
5. Përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit
Përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjive digjitale dhe analizës së të dhënave janë thelbësore për hetimin e krimeve komplekse. Kërkohet intensifikim i metodave proaktive të hetimit, përfshirë përgjimet, ndjekjet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike, si dhe bashkëpunim i ngushtë me strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.
6. Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin dhe monitorimin e politikave penale, shkëmbimin e statistikave dhe përmirësimin e ndihmës juridike ndërkombëtare. Synimi ynë është një mekanizëm i përbashkët për analizën dhe ndjekjen e progresit në luftën kundër kriminalitetit.
7. Bashkëpunimi ndërinstitucional
Duhet ndërtuar një strategji e koordinuar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyçe për suksesin në përballjen me krimin.
8. Bashkëpunimi ndërkombëtar
Pjesëmarrja aktive në strukturat si Eurojust, Europol dhe EMPACT është thelbësore për trajtimin e krimeve ndërkufitare. Krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore është mjeti më efektiv për ndarjen në kohë reale të provave dhe për të ndjekur penalisht krimin e organizuar ndërkombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.