Drejtësia

Lufta kundër drogës dhe grupeve kriminale, SPAK zbardh takimet e Altin Dumanit në SHBA

Gazeta Si – SPAK ka publikuar agjendën e takimeve që Altin Dumani ka mbajtur në SHBA në 2 dhe 3 shtator, në Uashington D.C me zyrtarë të lartë të DASH, Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, si dhe në Nashville, ku mori pjesë në Konferencën e DEA-s amerikane.

Sipas njoftimit, kreu i SPAK diskutoi për bashkëpunimin e ngushtë të SPAK me agjencitë ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, në lidhje me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

“Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave. Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik”, njoftoi SPAK.

Ndërkohë edhe më 26 deri më 28 gusht, dumani ka qenë në Nashville ku ka marrë pjesë në një konferencë për zbatimin e ligjit për narkotikët me ftesë të DEA-s, Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA).

Dumani u takua me administratorin e saj, Terrance Cole ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.

“Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve”, njoftoi SPAK.

Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të  Bashkuara, Pamela J. Bondi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë