Ne rrjet

‘Lufta hibride’, si u zbulua plani i Moskës për të vrarë CEO-n e kompanisë më të madhe gjermane të armëve

Sipas “Der Spiegel”, agjentët rusë hynë në Europë për të vrarë Armin Papperger, CEO i “Rheinmetall”, tashmë nën mbrojtje të ngjashme si kancelari Olaf Scholz. Disa ministra kanë denoncuar një "luftë hibride" të zhvilluar nga Moska në territorin gjerman. Ky është përshkallëzimi më i fortë i tensionit midis Rusisë dhe Gjermanisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Gazeta Si – Armin Papperger, CEO dhe president i kompanisë gjermane të prodhimit të armëve “Rheinmetall”, ka përfunduar në shënjestër të rusëve.

Sipas asaj që raporton CNN, inteligjenca amerikane ka nxjerrë në dritë një komplot kundër tij të kurdisur nga Moska.

Vrasja e Papperger është pjesë e një projekti më të gjerë që do të kishte për qëllim eliminimin e liderëve evropianë që mbështesin përpjekjet e luftës të Ukrainës, duke penguar kështu transportin e armëve që janë dërguar në Kiev nga Perëndimi për më shumë se dy vjet.

Fatmirësisht për CEO-n 61-vjeçar të “Rheinmetall”, sapo Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ndërgjegjësuan për rrezikun, njoftuan Gjermaninë, e cila vendosi masa për të mbrojtur sigurinë e tij.

Tashmë dihet se Rusia po kryen një fushatë sabotimi të ndihmave të destinuara për Ukrainën, gjithashtu duke rekrutuar njerëz në vendet e NATO-s (agjentët “një përdorim”, të cilët kryejnë sulme zjarrvënëse dhe akte vandalizmi kundër armëve, depove të magazinimit që presin të dërgohen në Kiev).

Nga ky këndvështrim, nuk është për t’u habitur që një nga objektivat ishte vetë Papperger, kreu i kompanisë, i cili është ndër prodhuesit më të mëdhenj të plumbave 155 mm, tashmë të konsideruar si vendimtare në luftën midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Rheinmetall”, me qendër në Düsseldorf, gjithashtu planifikon të hapë një fabrikë prodhimi për mjetet e blinduara direkt në Ukrainë, një detaj që sipas inteligjencës amerikane shqetëson jo pak Moskën, edhe në dritën e vështirësive me të cilat përballet mbrojtja ruse.

Edhe pse Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së nuk ka lëshuar asnjë koment zyrtar mbi hetimin për komplotet e supozuara ruse, zëdhënësja Adrienne Watson, tha: “Ne po e marrim jashtëzakonisht seriozisht fushatën e përshkallëzuar të Rusisë. Shtetet e Bashkuara e kanë diskutuar këtë çështje me aleatët e NATO-s. Ne po punojmë në mënyrë aktive së bashku me ta për të raportuar dhe ndaluar këto aktivitete. Ne jemi të sigurt, shton ajo, – se veprimet e Rusisë nuk do t’i largojnë aleatët që të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën”.

“Financial Times”, e cila ishte ndër të parat që shkroi, raportoi se siguria e Papperger është “në nivelin më të lartë” dhe se menaxheri gëzon mbrojtje federale të ngjashme me atë të kancelarit Olaf Scholz.

Ai nga ana e tij nuk e la veten të frikësohej. Dje pasdite ai ka lëshuar një deklaratë për “Financial Times”, duke thënë se “CNN nuk po skanon qiellin”, duke lënë të kuptohet se raportimet në lidhje me të janë të vërteta.

Dhe e shtoi këtë çështje me një intervistë të gjatë në mbrëmje me Faz, në të cilën deklaroi se nuk kishte kthim prapa, se Evropa besonte se mburoja bërthamore ishte e mjaftueshme kundër Rusisë, ndërsa armët konvencionale ishin të nevojshme. Ai tha se nuk ka frikë, edhe nëse kjo përfshin rrezik personal.

Sërish sipas CNN, Papperger nuk është i vetmi menaxher i shënjestruar nga rusët, por ai do të ishte në një “hitlist”, një listë objektivash, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të mbrojtjes evropiane. Plani do të ishte prishur muajt e fundit, kur pati disa akte sabotazhi dhe arrestimesh në Gjermani.

Dy spiunë ruso-gjermanë u arrestuan gjithashtu në Bavari, të akuzuar për përgatitjen e sulmeve kundër infrastrukturës elektrike.

Ministra të ndryshëm, nga ministrja e Brendshme Nancy Faeser, deri te ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, denoncuan një “luftë hibride” të zhvilluar nga Moska në territorin gjerman.

Një tjetër detaj është me interes. Sipas “Spiegel”, agjentët rusë hynë në Evropë me qëllimin për të vrarë Papperger. “Të paktën njëri është rus”, thotë “Spiegel”, gjë që sugjeron se të tjerët nuk janë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë