I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se arritja e marrëveshjes për targat në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë, është një sukses.
Në një konferencë për mediat, Escobar ka deklaruar se pas marrëveshjes dhe vendosjes në veri, KFOR nuk do t’i marrë kompetencat organeve vendore të sigurisë.
Ky reagim i tij, erdhi pasi në marrëveshjen e publikuar sot të arritur në Bruksel, theksohet se të shtunën, kur edhe do të bëhet largimi i barrikadave nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen edhe Njësitë e Specializuara, pasi për dy javë pritet që në këto pika të vendoset KFOR-i.
“Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog. I japim mbështetje Lajçakut dhe ekipit të tij për një zgjidhje konstruktive. Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që zbatojë reciprocitetin. Roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por të sigurohet funksionimi i rregullt i pikave kufitare”, deklaroi ai.
Më herët, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, njoftoi se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pike kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Lajçak sqaroi se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja që normalizimin e situatës në veri të Kosovës.
Kështu, nga e hëna hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e makinave të Kosovës dhe Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.