Treg

Lufta e Iranit po fut në krizë industrinë e luksit

Nga Gazeta ‘Si’- Nën hijen e ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa, qendra tregtare Dubai Mall është zakonisht një hapësirë plot gjallëri, ku të pasurit blejnë ora Rolex, çanta Hermès apo këpucë Ferragamo -madje edhe vezë luksoze Fabergé që kushtojnë deri në 80 mijë dollarë.

Dubai është shndërruar në motorin kryesor të rritjes për shitjet luksoze në rajon.

Sipas vlerësimeve të Morgan Stanley, gjysma e shitjeve të produkteve luksoze në Lindjen e Mesme vijnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe pjesa më e madhe realizohet pikërisht në Dubai.

Por, pothuajse tre javë pas nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, pamja në këtë qendër gjigante tregtare ka ndryshuar ndjeshëm. Brenda Dubai Mall kishte pak blerës. Në mesditë, vetëm disa banorë shiheshin me çanta Louis Vuitton në duar, ndërsa të tjerë shikonin vitrinat me fustane dhe taka të larta. Dyqanet ishin të hapura, por pothuajse bosh.

Sulmet nga Irani kanë goditur imazhin e Dubait si një strehë e sigurt dhe luksoze për elitën globale. Sulmet me dron dëmtuan aeroportin ndërkombëtar të qytetit dhe shkaktuan zjarr në hotelin luksoz Burj Al Arab, ku një suitë mund të kushtojë mbi 20 mijë dollarë nata.

Turizmi u ndal, ndërsa udhëtarët e bllokuar kërkonin mënyra për t’u larguar.

Lufta ka krijuar një krizë për markat e luksit në Dubai. Një raport i Bernstein Research parashikon që shitjet luksoze në Lindjen e Mesme do të përgjysmohen në mars, për shkak të rënies së fortë të turistëve.

“Nëse konflikti zgjat pak, Dubai mund t’i rikthehet shpejt shkëlqimit të mëparshëm dhe kjo do të jetë vetëm një goditje e vogël,” tha analisti Luca Solca. “Por nëse lufta vazhdon, situata do të jetë ndryshe.”

Skena e blerjeve në Dubai dominohet nga dy qendra gjigante: Dubai Mall dhe Mall of the Emirates. Ato strehojnë markat më të njohura europiane si Chanel, Gucci dhe Saint Laurent, dhe tërheqin mbi 140 milionë vizitorë çdo vit.

Drejtues të industrisë në Europë dhe SHBA shprehen të shqetësuar se një luftë e zgjatur mund të rrezikojë miliarda dollarë në shitje luksi.

“Nuk e dimë çfarë do të ndodhë, por shpresojmë të jetë e shkurtër,” tha Andrea Guerra, teksa sulmet iraniane u përhapën në rajon.

Megjithëse Lindja e Mesme përbën një pjesë të vogël të tregut global të luksit, shpenzimet e forta në rajon kanë ndihmuar industrinë globale në një kohë kur shitjet në Azi dhe Europë janë ngadalësuar.

Grupi Chalhoub Group e cilësoi sektorin “të pandalshëm”, me shitje që arritën gati 13 miliardë dollarë në vitin 2024.

Gjigantët e luksit si LVMH kanë investuar prej vitesh në Dubai. Në vitin 2014, drejtuesi i saj Bernard Arnault vizitoi Emiratet për një takim me sundimtarin Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Që atëherë, kompania ka zgjeruar praninë e saj dhe planifikon hapjen e një resorti luksoz Cheval Blanc.

Markat janë tërhequr nga banorët e pasur të qytetit. Sipas një raporti të Visa për vitin 2025, rreth një në nëntë banorë të Dubait bën të paktën një blerje luksoze çdo tre muaj – më shumë se në qytete si Nju Jorku, Londra apo Parisi.

Turistët janë gjithashtu konsumatorë kyç. Dubai ka shënuar rritje rekord të turizmit, duke iu afruar 20 milionë vizitorëve ndërkombëtarë në vit.

Megjithatë, ndërsa tensionet u rritën këtë muaj, drejtuesit e Emirateve vizituan Dubai Mall për të treguar qetësi.

Një video zyrtare tregoi presidentin Mohammed bin Zayed Al Nahyan dhe princin e kurorës së Dubait Sheikh Hamdan bin Mohammed Al Maktoum duke ecur mes dyqaneve.

Për pak blerësit që ndodheshin aty, kishte ende një ndjesi normaliteti mes pasigurisë. Një emigrante nga Pakistani, që drejton një kompani eventesh, tregoi se donte një kapelë plazhi Dior, por nuk ishte e disponueshme për shkak të ndërprerjes së furnizimeve.

Në vend të saj, ajo bleu një çantë Jacquemus.

“E di që nuk duhet të bëj shopping,” tha ajo. “Por nuk mund ta ndal veten.”

Marrë nga New York Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë