Drejtësia

Luan Daci akuzon SPAK: Shpiku akuzë penale ndaj meje. Nuk kam gënjyer KPA

Ish-gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci ka akuzuar Gjykatën e Posacme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit se ka shpikur veprën penale me të cilën u dënua me gjashtë muaj burg me kusht.

“Jam dënuar për një vepër penale të quajtur nga GJKKO “falsifikim intelektual”, që nuk ekziston fare në legjislacionin penal shqiptar. Kjo shpikje juridike, kjo normë e krijuar si nga prokuroria e SPAK, ashtu edhe nga gjykatat penale të posaçme është shkelje e Kushtetutës”, tha Daci në një dalje para mediave.

Ish-anëtari i KPA-së tha se gjyqtarja e GJKKO-së së Shkallës së Parë, dy gjyqtare të GJKKO-së së Apelit dhe dy gjyqtarë të Gjykatës së lartë kanë shkelur Kushtetutën duke shpikur një normë ligjore dhe duke marrë atributet e Kuvendit.

Daci thotë se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se ka plotësuar konform ligjit dhe kërkesat të gjithë dosjen e dokumentacionit që dorëzoi gjatë aplikimit për një vend anëtar në KPA.

“Nuk kam falsifikuar asnjë dokument zyrtar apo formular zyrtar të paraqitur përpara Avokatit të Popullit dhe Kuvendit të Shqipërisë. I gjithë dokumentacioni i paraqitur dhe dorëzuar prej meje ka qenë dhe është i rregullt, zyrtar dhe i vlefshëm e i pakontestuar nga këto organe, si dhe nga 6 komisione të procedurës”, tha ai.

Ndaj Luan Dacit ka dy vendime. Njëri është vendim administrativ i vetë KPA që e shkarkoi, ndërsa vendimit tjetër është penal me gjashtë muaj burg i gjykatave të posaçme. Ai u akuzua dhe shpall fajtor se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë