Gazeta Si - Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi është kallëzuar në SPAK për fshehje pasurie nga një qytetar nga Fieri.
Për këtë arsye, deputeti demokrat është thirrur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje nga BKH-ja.
Vetë Baçi, pasi doli nga SPAK, deklaroi bëhet fjalë për një kallëzim të ri nga i njëjti person, pasi sipas tij kjo çështje ishte pushuar më parë.
“Ka qenë një kallëzim dhe është pushuar si çështje. Është hetuar pasuria ime fill e për pe. Në të gjitha detajet pa asnjë lloj problemi. Unë kam transparencë të plotë të punëve dhe biznesit tim. Jam shumë i qetë, - u shpreh deputeti demokrat. - Shumë normal. Nuk kam asnjë lloj problemi. Është mbyllur si çështje. I njëjti kallëzues patronazhist, ballist ka ardhur përsëri e ka bërë kallëzim. Ndoshta dhe SPAK, për t’i bërë qejfin qytetarëve, edhe kur kanë mjeranë të tillë që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër vetëm të bëjnë kallëzime të tilla, unë u paraqita”, tha ai.
Sipas burimeve, qytetari nga Fieri pretendon se deputeti demokrat ka fshehur pasurinë e tij për një shumë prej 800 mijë eurosh, më konkretisht një kompleks apartamentesh në qytetin e Vlorës, vlerën e të cilin Baçi nuk e ka bërë deklarim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.