Politike

LSI, Vasili: Protesta në Tiranë edhe për Kosovën

Lëvizja Socialiste për Integrim pas samitit të Berlinit fton qytetarët që të protestojnë kundër qeverisë “Rama”, duke dhënë edhe një arsye më shumë për të dalë nëpër sheshe.
Ish-deputeti i LSI-së Petrit Vasili në një deklaratë për median theksoi se “Qytetarët mësuan se Shqipëria është një nga problemet kryesore sepse Kosova, vëllezërit tanë në Kosovë nuk mund të ecin përpara në procesin e liberalizmit, jo për shkak të tyre, por për shkak të Shqipërisë, e cila duke u bërë një precedent i rrezikshëm pengon dhe ata në rrugën e integrimit”.
“Sot përfundimisht ka ardhur koha e përgjigjeve të mëdha, por këto përgjigje kushdo mund t’i japë, por vetëm jo kjo qeveri dhe jo ky kryeministër të cilët gënjeshtrën e kanë mënyrë komunikimi, mënyrë jetese dhe mënyrë veprimi politik; pra kjo qeveri nuk mund ta japë kurrë. Ndaj protestat tona, janë protesta për të ecur përpara në Integrimin Europian të Shqipërisë, janë protesta edhe për vëllezërit tanë në Kosovë, të cilët nuk mund dhe nuk është e ndershëm të dënohen, penalizohen, izolohen sepse qeveria e kapur dhe e korruptuar në Tiranë ua pengon edhe atyre ëndrrën evropiane”, deklaroi Vasili.
Për LSI-në integrimi europian i Shqipërisë në BE nuk është prioritet i qeverisë Rama dhe i Rilindjes së tij.
“Qeveria shqiptare këtë prioritet madhor, që kërkon mobilizimin e të gjithë energjive më pozitive, për pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve politikë, opozitë, mazhoranca, shoqëri civile, njerëz të dijes, njerëz të shkencës, njerëz me ide, e ka zëvendësuar me disa lobime të errëta dhe të dyshimta me personalitete të huaja, me darka e dreka restorantesh, me negocime të paprincipta dhe me pritshmërinë e jashtëzakonshme, se dikush nga diku do na bëjë një dhuratë sepse ne e njohim e kemi mik, e kemi shok dhe hamë e pimë”, theksoi Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë