Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon Kryeministrit Edi Rama që të miratojë në Kuvend pa vonesa propozimin e bërë prej saj për heqjen e dy taksave nga nafta.
“I bëj thirrje Edi Ramës të miratojë menjëherë propozimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të depozituar në Kuvend për heqjen e dy taksave nga nafta dhe benzina. Taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit të cilat rëndojnë çmimin e karburanteve”, deklaroi deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.
Vasili kërkoi mbledhjen me urgjencë të Parlamentit, sepse situata është shumë e rëndë dhe sipas tij nuk pret më. Ai akuzoi Qeverinë si përgjegjëse dhe basshkëpunëtore në krijimin e monopoleve të naftës.
“Qeveria ka qenë dhe është përgjegjëse dhe bashkëpunëtore në krijimin e monopoleve në fushën e karburanteve dhe kontrollit absolut të tregut duke krijuar hapësira për spekulim me çmimet në kurriz të qytetarëve. Nga kjo situatë me çmimet ka dy përfitues, qeveria që shton të ardhurat dhe oligarkët që zotërojnë monopolin e karburanteve. Qeverisë, këto të ardhura i duhen për të paguar inceneratorët dhe koncesionet e veta korruptive dhe për të vazhduar të qirasë oligarkët me copa të reja”, shtoi ai.
Sipas Vasilit, Rama po gënjen shqiptarët duke lidhur çmimin e naftës me çmimin e energjisë elektrike.
“Edi Rama për të justifikuar korrupsionin e tij, gënjen kur lidh çmimin e naftës me çmimin e energjisë elektrike. Për energjinë elektrike, vetëm 3 muajt e fundit Edi Rama i ka dhënë qindra milionë euro për të mbyllur gropat e zeza të korrupsionit dhe përdorimit të energjisë elektrike si mall elektoral për të blerë vota. Administrimi i energjisë elektrike dhe resurseve të saj është një aferë tjetër gjigande korruptive të cilën e kemi denoncuar vazhdimisht por dhe ku SPAK-u duhet të veprojë me shpejtësi”, tha Vasili.
Sipas propozimit të depozituar nga LSI në Kuvend kërkohet heqja e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit. Të dyja këto taksa janë 30 lek për çdo litër naftë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.