Monika Kryemadhi nuk ishte pjesë e bisedimeve me PDIU-në, por e mirëpret vendimin e kësaj force politike për t’iu bashkuar opozitës së bashkuar në misionin që i ka vënë vetes për të larguar Kryeministrin Edi Rama.
“Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është padyshim një zhvillim pozitiv në përpjekjet për të çmontuar dhe për t’u përballur me qeverinë banditeske të Edi Ramës”, thotë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Qeverisjen aktuale e cilëson si e keqja më e madhe që e ka zënë Shqipërinë në periudhën e saj të tranzicionit dhe thotë se mirëpret çdo bashkëpunim kundër Edi Ramës.
“Ne mirëpresim çdo bashkëpunim politik dhe jo vetëm, për të luftuar së bashku kundër së keqes më të madhe që ka parë Shqipëria këto 25 vitet e fundit, atë të kriminalizimit të politikës dhe të shtetarëve!”, shton më tej në reagimin e postuar në rrjetet sociale, Kryemadhi.
Kjo është hera e dytë që PDIU i bashkohet LSI-së në një koalicion. Në 2015, PDIU dhe LSI ishin që të dyja pjesë të koalicionit qeverisës të Edi Ramës dhe dolën me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet vendore të 2015.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




