Pas kthimit nga pushimet, Lëvizja Socialiste për Integrim bën thirrje për përmbysje të kësaj qeverie. Arsyeja, sipas nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili, lidhet me situatën ekonomike në vend.
“Është e qartë që çdo ditë që do të vazhdojë të jetë një qeveri e tillë, do të jetë një ditë e lumtur, e bardhë, e shkëlqyer për oligarkët, për klientët e qeverisë, pra për një grusht njerëzish, ndërsa vegjëlia e shqiptarëve, njerëzit e zakonshëm, njerëzit e thjeshtë, do vazhdojnë të kenë ankthin që sot janë në punë dhe të nesërmen në mëngjes, biznesi ku ata punojnë dhe janë të punësuar mund t’u mbyllet. Ashtu siç ka ndodhur me 32 mijë e 400 biznese.
Papunësia troket në derën e gjithsecilit dhe është një e papritur që mund të lindë nga sot në nesër. Përmbysja është e vetmja mundësi, e vetmja alternativë së vilës asnjë qytetar nuk i shmanget dot në qoftë se do të bëjë diçka për veten, për familjen, për fëmijët që presin të ardhurat e domosdoshme për një jetesë minimale, të cilat kjo qeveri nuk mund dhe nuk ia siguron dot kurrë, për shkak se orientimi i saj është vetëm te grabitja korruptive, pastrimi i parave, ekonomia informale që vret dhe shkatërron të gjitha bizneset e vogla dhe të mesme, edhe me një strategji shumë mirë të përcaktuar që shkatërrimin e tyre ta përdorë dhe ta shfrytëzojë për të majmur dhe fuqizuar edhe atë mund e djersë të këtyre bizneseve të vogla dhe të mesme në duart e oligarkëve të pashpirt”, tha Vasili përmes një konference për shtyp.
Koha, sipas tij, është sot për të bërë ndryshimin e madh.
“Koha nuk pret në mënyrë që të shpëtojmë familjen shqiptare nga rrënimi ekonomik, por akoma më rëndë nga rrënimi shoqëror, dramatik, i cili është ulur këmbëkryq dhe po i troket te dera edhe atyre që nuk janë përballur me të”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




