Futboll

Longo mbyll aventurën te Kukësi, rikthehet Skënder Gega

Gazeta Si – Diego Longo është larguar nga Kukësi. Trajneri italian dhe klubi verior kanë mbyllur bashkëpunimin mes tyre. Në stolin e Kukësit kthehet Skënder Gega.

“Kukësi dhe trajneri Diego Longo kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin. Me fundin e sezonit ka përfunduar kontrata e trajnerit italian dhe palët kanë vendosur të mos e vazhdojnë bashkëpunimin.

Longo në stërvitje me Kukësin. Gazeta Si, 28 maj 2022

Klubi i Kukësit falënderon trajnerin Diego Longo, asistentin Amedeo Di Late dhe trajnerin e portierëve Andrea Kardinale për kontributin e dhënë”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kuksian.

Kukësi e mbylli kampionatin në vend të 4-t. Mund të shkojë në Europë vetëm nëse Laçi fiton finalen e Kupës së Shqipërisë, në të kundërt shkon Vllaznia.

Longo e drejtoi Kukësin vetëm një sezon dhe gjatë kësaj kohe ka pasur momente të mira dhe momente të vështira. Italiani është vlerësuar në disa ndeshje për lojën që zhvillon Kukësi, por ka qenë afër largimit edhe më parë.

Në disa raste Longo ka pasur edhe fërkime me gazetarë apo opinionistë gjatë intervistave live pas ndeshjeve. Tashmë Kukësi është një kapitull i mbyllur për të.

Skënder Gega. Gazeta Si, 28 maj 2022

Klubi verior disa orë më pas ka zyrtarizuar edhe trajnerin e ri. Ai është Skënder Gega, i cili e ka drejtuar edhe më parë ekipin kuksian. Sezonin e fundit trajneri Gega ka drejtuar Skënderbeun, ndërsa më parë ka drejtuar Partizanin dhe Kombëtaren U-21.

Kukësi dhe Gega tani mbeten në pritje të finales së Kupës së Shqipërisë, për të mësuar edhe fatin e tyre europian. Kuksianët bëjnë tifo për Laçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë